Lajme nga Bota

Janë efektive: OBSH flet për vaksinat kineze që kanë mbërritur edhe në Shqipëri

Janë efektive: OBSH flet për vaksinat kineze që kanë

Prodhuesit kinezë të vaksinave, Sinopharm dhe Sinovac kanë treguar të dhënat e tyre për vaksinat anti-Covid të cilat kanë rezultuar efikase, dhe sipas një eksperti të OBSH janë në përputhje me kriteret e kërkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve i OBSH-së (SAGE) shpreson që OBSH ta miratojë dhe të leshojë rekomandimin për përdorim deri në fund të prillit.

"Informacioni që kompanitë ndanë publikisht tregon qartë se vaksinat kanë nivele të efikasitetit në përputhje me kërkesat që OBSH ka kërkuar për këtë vaksinë" , tha kreu i grupit, Alejandro Cravioto i cili shtoi:

"Kjo do të thotë rreth 50% (efikasitet) dhe mundësisht afër ose mbi 70% dhe natyrisht, ata kanë të gjitha të dhënat e sigurisë për të treguar se kjo vaksinë nuk do të shkaktojë dëm tek njerëzit."

Zëdhënësja e OBSH Margaret Harris deklaroi në fillim të këtij muaji se vaksinat Sinopharm dhe Sinovac mund të marrin dritën jeshile për përdorim emergjent të vaksinave shumë shpejt.

Nuk kanë dalë të dhëna të hollësishme për vaksinën nga Sinopharm, por Instituti i Produkteve Biologjike të Pekinit, një njësi e filialit të Sinopharm në Kinë ka deklaruar se vaksina është 79.34% efektive në parandalimin e njerëzve nga zhvillimi i sëmundjes. Vaksina është aprovuar në disa vende duke përfshirë Kinën, Pakistanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vaksina e Sinovac ka treguar % efikasiteti ndërmjet 50.65% dhe 83.5% bazuar në provat nga Brazili, Turqia dhe Indonezia.

Të dyja vaksinat e prodhuara nga Kina po kërkohen nga shumë vende në zhvillim, për shkak edhe të qasjes së kufizuar tek vaksinat perëndimore dhe konkurrencës që ka lindur mes tyre.

Në shqipëri mbërritën të premten 192 mijë vaksina kineze të firmës Sinovac, duke i hapur rrugën vaksinimit masiv të grupmoshës 70 vjeç e lart.

Reuters/ Tiranapost.al.