Lajme nga Bota

Kryeministri britanik ndalon ministrat të dalin çdo mëngjes në TV

Kryeministri britanik ndalon ministrat të dalin çdo mëngjes

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka ndaluar ministrat të shfaqen çdo ditë në televizor dhe në radio.

Deri më sot, ministrat dilnin çdo ditë sidomos në programet e mëngjesit. Tashmë do mund të dalin jo më shumë se tre ditë në javë dhe do të ketë një njoftim paraprak për këtë.

Një burim tha për The Mirror tha se qeveria ka vendosur që ministrat të dalin të flasin atëherë kur publiku duhet të dëgjojë vërtet diçka nga qeveria.

Masa u prit me kritika nga deputetë, nga publiku apo nga gazetarët. Madje e konsideruan mungesë përgjegjshmërie dhe transparence.

Vendimi i fundit i qeverisë vjen pas një muaji të trazuar për Kryeministrin, me tre nga ministrat e tij që po përballen me pyetje të vështira në publik dhe madje emërimi i tyre po vihet në diskutim.

Zëvendëskryeministri Dominic Raab do të hetohet mbi akuzat për ngacmim.

Para se të dilnin akuzat për Raab, Ministri i Zyrës së Kabinetit Gavin Williamson u detyrua të jepte dorëheqjen për një ankesë zyrtare që pretendohej se kishte kërcënuar një ish-nëpunës civil.

Sunak gjithashtu është kritikuar për ri-punësimin e Suella Braverman si Sekretare të Brendshme, vetëm gjashtë ditë pasi ajo u shkarkua nga puna në qeverinë e Liz Truss për dërgimin e emaileve nga llogaria e saj personale.