Kryeministri italian do paraqesë dorëheqjen nesër. Po nëse nuk pranon presidenti? Dy skenarët

Kryeministri Italian Giuseppe Conte do të ofrojë nesër dorëheqjen, një javë pasi i mbijetoi dy votave të besimit në parlament. Nga zyra e tij e shtypit është njoftuar se Conte do të takojë mëngjesin e nesërm presidentin Sergio Mattarela për të dorëzuar dorëheqjen e tij. Kryeministri Conte ka qenë në presion që kur koalicioni i tij qeverisës i qendrës së majtë që e ka udhëhequr për 16 muaj humbi shumicën në senat.
Kjo pasi partia e ish kryeministrit Matteo Renzi u tërhoq nga aleanca qeverisëse për shkak të mosmarrëveshjeve rreth mënyrës së shpenzimit të parave ndaj fondit të rimëkëmbjes nga Covid-19.
Por çfarë pritet të ndodhë?
Presidenti Mattarella mund të mos pranojë dorëheqjen e Contes dhe mund ti kërkojë atij që të përpiqet të formojë një koalicion më të qendrueshëm.
Mediat italiane thonë se këtë skenar mund të presë dhe vetë Conte, i cili mund të mbështetet në bllokun e qendrës së djathtë të udhëhequr nga ish kryeministri Silvio Berlusconi.
Por ka dhe një skenar tjetër: Presidenti mund të kërkojë nga një tjetër politikan që të përpiqet të formojë një qeveri, ose të thërrasë zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Itali u mbajtën në mars të viti 2018.
*Reuters/ Tiranapost.al.