Lajme nga Bota

Lufta e Trump me USAID është konkrete. Punonjësve u dërgohet e-mail: Mos dilni në punë

Lufta e Trump me USAID është konkrete. Punonjësve u dërgohet

Zyra kryesore e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Uashington u mbyll papritur të hënën, dhe punonjësit u njoftuan me e-mail pak pas mesnatës që të mos paraqiteshin në punë.

“Sipas udhëzimeve të drejtuesve të Agjencisë, selia e USAID në ndërtesën Ronald Reagan në Uashington, D.C. do të jetë e mbyllur për personelin e Agjencisë të hënën, më 3 shkurt 2025. Personeli i caktuar normalisht të punojë në selinë e USAID do të punojë nga distanca nesër, me përjashtim të personelit me funksione thelbësore në terren dhe mirëmbajtje të ndërtesës, të cilët do të kontaktohen individualisht nga drejtuesit e lartë”, thuhej në e-mail, një kopje e të cilit është siguruar nga CNN.

Kjo është shenja më e fundit shqetësuese për këtë agjenci ndërkombëtare, e cila është vënë në shënjestër nga Presidenti Donald Trump dhe përpjekjet e Elon Musk për të reformuar qeverinë federale.

Në një bisedë në X Spaces të hënën në mëngjes, sipërmarrësi i teknologjisë tha se Trump është dakord që agjencia duhet të “mbyllet” pas disa ditësh spekulimesh mbi të ardhmen e saj, pasi financimi i saj u ngri dhe dhjetëra punonjës u pezulluan. Trump ka deklaruar se USAID “drejtohet nga një grup fanatikësh radikalë, dhe ne po i largojmë ata”.

Një punonjës i USAID i tha CNN: Ata kanë hequr fotot nga muret, dhe gjysma e kolegëve tanë mungojnë sepse janë pushuar nga puna. Të gjithë ndihen sikur ecin me një shënjestër mbi shpinë.

Rreth 60 punonjës të lartë të USAID u pezulluan javën e kaluar nën akuzën se kishin tentuar të anashkalonin urdhrin ekzekutiv të Trump për ngrirjen e ndihmës së huaj për 90 ditë. Shumë punonjës të tjerë më të ulët në hierarki dhe kontraktorë gjithashtu janë pezulluar, sipas burimeve të ndryshme.

USAID u krijua në vitin 1961 gjatë administratës së Presidentit John F. Kennedy dhe është krahu humanitar i qeverisë amerikane. Agjencia shpërndan miliarda dollarë çdo vit në mbarë botën për të ndihmuar në zbutjen e varfërisë, trajtimin e sëmundjeve dhe reagimin ndaj urisë dhe fatkeqësive natyrore. Ajo gjithashtu promovon ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin përmes mbështetjes së organizatave joqeveritare, mediave të pavarura dhe nismave sociale.