Lajme nga Bota

Mbi 200 lëkundje sizmike në 48 orë! Autoritetet greke marrin masa për banorët në Santorini

Mbi 200 lëkundje sizmike në 48 orë! Autoritetet greke marrin masa

Autoritetet greke janë mobilizuar dhe kanë marrë masa pas tërmeteve të shumta që po godasin ishujt grekë. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët e ishullit të Santorinit të shmangin grumbullimet në ambiente të mbyllura, të mos qëndrojnë në banesa të vjetra dhe të mos tregojnë panik në rast të lëkundjeve sizmike.

Në Greqi mësohet se në 48 orët e fundit janë regjistrua mbi 200 lëkundje sizmike, duke shkaktuar panik te qytetarët. Aktiviteti sizmik i vërejtur në 24 orët e fundit në Santorini dhe zonën përreth ka shkaktuar shqetësim të madh tek autoritetet dhe shkencëtarët. Sipas vullkanologut-studiuesit të Autoritetit Helen të Kërkimeve Gjeologjike dhe Minierave, Georgios Vougioukalakis, zona po kalon një krizë sizmike, me mbi 200 lëkundje të regjistruara në 48 orët e fundit. Epiqendra janë të vendosura kryesisht në Anhidros, një ishull i pabanuar pranë Santorinit.

Bashkia e Santorinit ka vendosur çadra në ambiente të hapura të ishullit të cilat janë më të sigurta në ras se do të këtë lëkundje të tjera. Profesori i Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore në Universitetin Kombëtar të Athinës, Efthimios Lekkas, mbërriti në ishullin e Santorinit mesditën e së dielës, duke kryer një inspektim të zonës. Qytetarët këshillohen të mos banojnë në ndërtesa të vjetra, në rast lëkundjesh të forta, të mos i afrohen bregdetit, të mos bëjnë panik dhe t’u binden autoriteteve. Tërmete me magnitudë 2.8 dhe 4.5 ballë goditën zonën të dielën në mëngjes, sipas institutit gjeodinamik të Athinës, pa shkaktuar dëme.