Lajme nga Bota

Merkel: Jam kundër vaksinimit me detyrim

Merkel: Jam kundër vaksinimit me detyrim

Teksa debati në lidhje me vaksinat është i përhapur kudo, kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur kundër idesë që shtetet europiane ta bëjnë vaksinën të detyrueshme. Në një intervistë me të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine” Merkel e ka argumentuar këtë qendrim me faktin se shumica dërrmuese e publikut shprehet i vullnetshëm për të marrë vaksinën dhe një masë e tillë do të ishte kundër parimit të autonomisë trupore.

“Ne kemi premtuar se nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm. Nuk mendoj se është e nevojshme duke pasur parasysh gatishmërinë e lartë për t’u vaksinuar. Ne mund dhe duhet të përdorim argumente për të reklamuar. Prodhuesit po punojnë gjithashtu për prodhimin e vaksinave për fëmijë dhe adoleshentë. Vaksinat testohen edhe për gratë shtatzëna. Kemi mjaft njerëz që duan të vaksinojnë për të arritur imunitetin e tufës”- ka thënë Merkel për të përditshmën gjermane.

Kujtojmë se Gjermania dhe Zvicra kanë qenë dy shtetet ku ka pasur më shumë protesta dhe reagime kundër idesë së një vaksinimi të detyrueshëm, kjo kryesisht për shkak të kohës së shkurtër në të cilën këto vaksina u prodhuan dhe faktit se kompanitë nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për ndonjë efekt anësor që mund të vijë si rezultat i administrimit të vaksinës.

Tiranapost.al