Lajme nga Bota

Ministrat e Jashtëm të NATO-s mbidhen në Berlin, në fokus anëtarësimi i Suedisë e Finlandës

Ministrat e Jashtëm të NATO-s mbidhen në Berlin, në fokus

Pavarësisht se nuk janë anëtare të aleancës veriatlantike, Suedia dhe Finlanda do të marrin pjesë në takimin informal të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Berlin. Me gjithë kërcënimet e Moskës zyrtare të dy vendet europiane pritet të aplikojnë për anëtarësim në aleancën ushtarake si përgjigje për pushtimin e Ukrainës.

Turqia e cila më herët ka thënë se kundërshton anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO, duket se ka rishikuar qëndrimin e saj duke theksuar se Ankaraja nuk e ka mbyllur derën për anëtarësimin e tyre.

Sonte në orën 20:00 të mbrëmjes është caktuar darka zyrtare e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku do të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Finlandës dhe Suedisë.

Fokusi kryesor i diskutimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, pritet të jetë mbi situatën aktuale si pasojë e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndikimet e këtij agresioni mbi sigurinë e vendeve të NATO-s.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s po ashtu do të diskutojnë dhe mbi mbështetjen e Aleancës dhe të vendeve aleate për Ukrainën si dhe pritet të trajtojnë me homologët e tyre nga Finlanda dhe Suedia tematikën e anëtarësimit të mundshëm të këtyre dy vendeve në NATO.

Nesër në mesditë priten njoftime zyrtare nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe ministrja e Jashtme gjermane Analena Berbock.

Në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të NATO-s merr pjesë dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e cila ka udhëtuar sot drejt Berlinit.