Lajme nga Bota

Pas Ramës reagon ministri gjerman për artikullin e “Der Standard” për kufijtë: Është histori e mbyllur s’ia vlen më

Pas Ramës reagon ministri gjerman për artikullin e “Der

Pas reagimit në Twitter të kryeministrit Rama i cili e konsideroi të turpshme artikullin në median austriake Der Standard ku shkruante se ai bashkë me Vuçiç dhye lobistë të tjerë kishin miratuar ndryshimin e kufijve të Ballkanit tre vite më parë, vjen reagimi edhe i ministrit të Jashtëm Gjerman.

Heiko Maas thotë se këto fenomene si ‘non-paper’ kur nuk janë dokumente zyrtare të cilat qarkullojnë nëpër media, janë Fake-News-e dhe nuk duhet t’ju kushtohet vëmendje.

Ai theksoi se Gjermania kundërshton çdo ide apo propozim për ndryshim të kufijve në rajon dhe se kur nuk ka asnjë dokument zyrtar mbi zërat që qarkullojnë në media: Nuk ia vlen të merresh me to.

“Ky është një dokument non-paper, jo një dokument zyrtar. Ne nuk kemi nevojë të merremi më tej me të. Nuk ka pjesëmarrje të Gjermanisë, në ndonjë non-paper, nëse ka zëra për këtë, ato janë lajme të rreme. Për politikën e jashtme gjermane, baza e politikës sonë për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë që ne të mos ndërhyjmë në kufij”.

Komentet Maas i bëri pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Ministri Gjerman shtoi se çdo ndryshim i kufijve e jo vetëm në Ballkan, do të sillte një ndikim me pasoja negative:

“Këtë në të kaluarën e kemi refuzuar, edhe tani e hedhim poshtë, edhe në të ardhmen do ta refuzojmë plotësisht”.

Në media po qarkullojnë prej ditësh disa dokumente jo zyrtare, të ashtuquajtura non-paper, ku janë hedhur propozime politike për ndryshime të kufijve në Ballkan. Për herë të parë artikujt u publikuan nga media sllovene.

Edhe Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paper” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca. Dokumenti flet për themelimin e të ashtuquajturit "distriktit autonom të Kosovës së Veriut" dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

"Non-paper" është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Në këtë dokument thuhet se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.