Lajme nga Bota

Ministria e Jashtme e Francës: Rusia do ta vuajë pasoja serioze nëse vdes Navalny

Ministria e Jashtme e Francës: Rusia do ta vuajë pasoja serioze

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian është shprehur se Rusia dhe presidenti i saj Vladimir Putin “do të vuajnë pasojat” në rast se lideri opozitar rus ndërron jetë për shkak të keqtrajtimit të cilit i është nënshtruar që pas burgosjes që për perëndimin është e jashtligjshme.

“Do të vendosim të gjitha sanksionet e nevojshme dhe do ta mbajmë presidentin Putin po ashtu si autoritetet ruse përgjegjëse në rast se Navalny vdes... le të shpresojmë që nuk do të shkojë situata deri atje”- ka thënë ai për televizionin publik “France 2” në një intervistë të dhënë ditën e sotme.

Le Drian është treguar më diplomatik për çështjet e tjera bilaterale duke thënë se Parisi dhe Moska “duhet të vazhdojnë të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe të gjejnë çfarë kanë të përbashkët”, një retorikë kjo që mund të shpjegohet nga fakti që Franca ka filluar negociatat për marrjen e vaksinave ruse anti-COVID, “Sputnik V” pas dështimit të BE për të marrë në kohë vaksinat të cilat nga blerë nga kompania AstraZeneca, si dhe për shkak të problemeve dhe dyshimeve të shumta për këtë vaksinë.

Kujtojmë se para dy ditësh, Alexei Navalny është transportuar drejt spitalit, plot 3 javë pasi kishte kërkuar vëmendje shëndetësore për shkak të dhimbjeve të forta të shpinës dhe problemeve psikologjike. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare në këto 3 muaj arrest, Navalny ka humbur më shumë se 15 kile dhe i ushtrohet dhunë psikologjike duke mos e lejuar të flejë gjatë natës nga gardianët.

Tiranapost.al