Lajme nga Bota

Në BE kërkohen masa ndaj Serbisë nëse dëshmohet lidhja me sulmet në Banjskë

Në BE kërkohen masa ndaj Serbisë nëse dëshmohet lidhja

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën mbrëma për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

“Ajo që ka ndodhur të dielën në veri të Kosovës, sasia e armëve që është gjetur, dhe informacionet që po i marrim nga terreni vazhdimisht, janë duke e ndryshuar lojën”, kanë thënë burimet brenda BE-së.

Sipas tyre, në takim kanë folur përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe më pas i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vendet anëtare të BE-së e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet rasti dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.