Lajme nga Bota

Në Bullgari zbulohet një konsullatë sekrete ruse

Në Bullgari zbulohet një konsullatë sekrete ruse

Rusia duket se ofron shërbime konsullore në qytetin turistik Varna në Detin e Zi, pavarësisht se Sofja ka dëbuar diplomatët rusë më 2022 dhe një vit më vonë e ka mbyllur Konsullatën ruse, gjeti një hulumtim i kryer nga Shërbimi Bullgar i Radios Evropa e Lirë.

Përderisa autoritetet bullgare thanë se nuk kanë informacione se po zhvillohen aktivitete diplomatike, grupet në gjuhën ruse në WhatsApp dhe Facebook po reklamojnë shërbimet konsullore që po kryhen në selinë lokale të Partisë Socialiste Bullgare (BSP), subjekt pro Kremlinit.

Marina Nacheva, një grua e listuar në disa grupe si kontakt për këtë konsullatë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se shërbimet konsullore ofrohen në zyrat e BSP-së në adresën rruga Maqedonia, numër 33, në Varna. Kjo ndërtesë gjendet rreth 400 metra larg nga objekti i ish-Konsullatës ruse, në rrugën Maqedonia, numër 53.

Shumica e stafit të ish-Konsullatës ruse në Varna, një qytet mjaft i popullarizuar për pushuesit rusë, u dëbuan nga Bullgaria së bashku me diplomatët në Ambasadën ruse që gjendej në kryeqytetin bullgar, Sofje, në qershor të vitit 2022. Në përgjithësi, Qeveria e kryeministrit të atëhershëm, Kiril Petkov, urdhëroi dëbimin e 70 anëtarëve të stafit diplomatik rus, duke thënë se ata po punonin kundër interesave të Sofjes. Në tetor të vitit 2023, Konsullata ruse në Varna u mbyll përfundimisht pasi skadoi qiraja e saj për objektin.

Megjithatë, njerëzit që kanë publikuar informacione në grupet në Facebook, të cilat i ka monitoruar Radio Evropa e Lirë, dëshmojnë të kundërtën. Postimet në këto faqe në Facebook lënë të kuptohet se shërbime ofrohen ende në Varna, por vetëm në ditë dhe orë të caktuara.

*Investigim i Radio Europa e Lirë