Lajme nga Bota

Në Gjermani hapen hetime për certifikatat e rreme të vaksinave

Në Gjermani hapen hetime për certifikatat e rreme të vaksinave
Policia në Gjermani po heton mijëra raste të dyshuara për falsifikimin e certifikatave të vaksinës kundër koronavirusit.

Sipas agjencisë së lajmeve 'dpa' më shumë se 12,000 hetime policore janë hapur në mbarë vendin.

'Dpa' raporton që numri i hetimeve u rrit në dhjetor, pasi autoritetet njoftuan kufizime të reja që i mbyllën njerëzit e pavaksinuar, duke i lënë jashtë jetës publike.

Ata që ofrojnë ose përdorin certifikata false mund të përballen me dënime të rënda, nga gjobat dhe dënimet me burgim deri te humbja e punës.

Prokurorët kanë hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia në një rast pasi një grua përdori një certifikatë të rreme vaksine për të vazhduar punën në një shtëpi pleqsh, pavarësisht se kishte anëtarë të familjes të sëmurë me COVID-19 në shtëpi.

Parlamenti gjerman pritet të fillojë debatin për një mandat universal të vaksinës në muajt e ardhshëm, megjithëse zyrtarët e qeverisë pranojnë se masa nuk do të hyjnë në fuqi për disa muaj.

Pothuajse 73% e popullsisë gjermane janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa gati 48% kanë marrë edhe një vaksinë përforcuese.

Gjermania pa një numër të ri rekord të rasteve të konfirmuara ditën e sotme. Agjencia e kontrollit të sëmundjeve të vendit raportoi 112,323 infeksione të reja në 24 orët e fundit dhe 239 vdekje për shkak të COVID.