Lajme nga Bota

Në prag të Samitit/ Putin bën krahasimin mes Biden dhe Trump: Janë krejt të ndryshëm

Në prag të Samitit/ Putin bën krahasimin mes Biden dhe Trump:

Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet për një Samit bilateral me homologun e tij amerikan Joe Biden në Gjenevë të Zvicrës në datën 16 qershor, një event që ka për qëllim rinisjen e dialogut pas një kohe të gjatë të ftohjeve të njëpasnjëshme në marrëdhëniet diplomatike mes dy superfuqive.

Në një intervistë të dhënë për mediat ruse ditën e djeshme, Putin ka pranuar se ndodhemi në momentin më të vështirë që pas Luftës së Ftohtë dhe se do të duhet përpjekje të mëdha për të ndërtuar ura mbi çështjet kolosale që ndajnë dy vendet, kryesisht rreth çështjes së Ukrainës dhe Alexei Navalny-t.

Përgjatë intervistës, Putin ka karakterizuar ish-presidentin amerikan Donald Trump “një individ të jashtëzakoshëm dhe të talentuar”, duke e kontrastuar me Biden që e ka cilësuar “radikalisht të ndryshëm nga energjiku Trump”.

“Është shpresa ime e madhe që të kemi marrëdhënie më të parashikueshme që janë të mundshme me një njeri më pak impulsiv në Shtëpinë e Bardhë”- ka thënë presidenti rus Putin, i cili në vitin 2016 nuk e fshehu admirimin dhe mbështetjen e tij për kandidaturën e Trump.

Vetë ish-presidenti Trump në një e-mail dërguar mbështetësve të tij ka shkruar se ka respekt të jashtëzakonshëm për Putin dhe ka ngritur një pikëpyetje rreth aftësisë së Biden për t’u përballur me homologun rus që sipas Trump është diplomat më i aftë dhe lider më potent.

Këto shkëmbime respekti mes Trump dhe Putin vështirë se ndërtojnë një terren konstruktiv përpara samitit që është thirrur nga Biden, i cili megjithatë nuk ka rreshtur kritikat ndaj Putin duke thënë se do i bëjë presion në lidhje me çështjet e të drejtave të njeriut dhe se nuk do të ketë asnjë kompromis në lidhje me sovranitetin territorial të Ukrainës.

Kujtojmë që ky është samiti i parë vetëm mes dy shteteve që pas atyre të fundit të Luftës së Ftohtë që kontribuan së tepërmi në marrëveshjet që sollën shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Tiranapost.al