Lajme nga Bota

Në prag të Samitit të Gjenevës/ Qasja ndryshe e Presidentit Biden ndaj udhëheqësit rus

Në prag të Samitit të Gjenevës/ Qasja ndryshe e Presidentit

Presidenti Joe Biden flet shpesh për atë që ai e sheh si thelbësore në zbatimin e një politike të jashtme efektive: ndërtimin e marrëdhënieve personale. Por ndryshe nga katër paraardhësit e tij më të fundit në Shtëpinë e Bardhë, të cilët bënë përpjekje për të ndërtuar një lloj marrëdhënieje me Vladimir Putinin, Presidenti Biden e ka bërë të qartë se krijimi i një raporti personal mund të ketë kufij kur bëhet fjalë për udhëheqësin rus.

Presidenti amerikan, i cili pritet të takohet me Presidentin rus ballë për ballë të mërkurën në Gjenevë, është i vetëdijshëm rreth aftësive të zotit Putin për të mbijetuar edhe pse vendi i tij nuk është më një fuqi ekonomike botërore.

Presidenti Biden ka përsëritur shpesh një episod nga takimi i tij i fundit me zotin Putin 10 vjet më parë kur ai ishte nënpresident dhe zoti Putin në detyrën e kryeministrit. Udhëheqësi rus ishte shkëputur nuk ishte president në atë kohë, pasi kushtetuta e vendit ndalonte një mandat të tretë radhazi, megjithatë ai ende shihej si udhëheqësi më i fuqishëm i Rusisë.

Zoti Biden i tha biografit Evan Osnos se gjatë takimit mes tyre në vitin 2011, zoti Putin i kishte treguar zyrën e tij luksoze në Moskë. Zoti Biden kujton se e kishte thumbuar zotin Putin, një ish-oficer i KGB-së, duke i thënë: "Është e mahnitshme se çfarë mund të arrijë të bëjë kapitalizmi".

Zoti Biden tha se më pas ndërsa qëndronte shumë pranë zotit Putin, i kishte thënë: “Zoti Kryeministër po ju shoh në sy dhe nuk mendoj se ju keni shpirt. Zoti Biden thotë se zoti Putin kishte buzëqeshur dhe i ishte përgjigjur: "Ne e kuptojmë njëri-tjetrin".

Nga ana e tij Presidenti Putin, në një intervistë për rrjetin televiziv NBC, të transmetuar të hënën, tha se nuk e mbante mend një bisedë të tillë. "Nuk e mbaj mend këtë bisedë mes nesh", tha zoti Putin.

Komenti i zotit Biden ishte pjesërisht një shpotitje ndaj ish-Presidentit George W. Bush, i cili u përball me kritika pas takimit të tij të parë me udhëheqësin rus, kur tha se e "ka parë atë (Putinin) në sy" dhe "kishte qenë në gjendje t’i kuptonte shpirtin”.

Por duke rikujtuar këtë bisedë të disa dekada më parë me zotin Putin, Presidenti Biden gjithashtu është përpjekur të tregojë se ai nuk ka asnjë iluzion rreth asaj që përfaqëson udhëheqësi rus, ndryshe nga paraardhësit e tij.

Tashmë Presidenti Biden dhe ai rus Putin do të takohen sërish, në një moment kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë duket sikur ndërlikohen çdo ditë. Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur e ka kritikuar udhëheqësin rus dhe ka vendosur sanksione kundër subjekteve ruse dhe individëve të lidhur me të, mbi akuza për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020 dhe sulmin kibernetik ndaj agjencive federale.

Pavarësisht sanksioneve zoti Putin nuk është tutur. Javët e fundit hakera rusë me bazë në Rusi kanë zhvilluar sulmeve kibernetike ndaj një tubacioni kryesor të naftës në SHBA si dhe furnizuesit më të madh të mishit në botë. Zoti Putin ka hedhur poshtë dyshimet për përfshirje të Kremlinit në këto akte.

Michael McFaul, ish-ambasador i SHBA-së në Rusi, i cili shoqëronte zotin Biden në takimin e vitit 2011 me zotin Putin, tha në një intervistë se zoti Biden mund të ketë një skepticizëm më të thellë dhe ndoshta një pikëpamje më të informuar mbi zotin Putin sesa çdo paraardhës i tij në Shtëpinë e Bardhë.

"Njohuritë e zotit Biden mbi rajonin mund të jenë më të mira se të kujtdo që ka mbajtur këtë detyrë", thotë zoti McFaul. “Biden ka shpenzuar kohë në Gjeorgji. Ai ka kaluar një periudhë të madhe kohe në Ukrainë. Kam udhëtuar me të në Moldavi dhe ai ka qëndruar për shumë kohë në pjesën lindore të vendeve aleate të NATO-s. Ai ka qenë në ato vende dhe ka dëgjuar nga afër lidhur me agresionin dhe kërcënimin rus. Kjo ka krijuar një përbërës unik të analizës së tij mbi zotin Putin, të cilin presidentët e tjerë nuk e kanë pasur".

Zoti Biden ka thënë se si president, ai do të zbatonte një qasje ndryshe në marrëdhëniet e tij me zotin Putin krahasuar me ish-Presidentit Donald Trump, i cili tregoi një respekt të pazakontë ndaj udhëheqësit rus. Qasja do të ishte ndryshe edhe në raport me qëndrimin e tre presidentëve të tjerë të SHBA-së të cilët kanë mbajtur këtë detyrë ndërsa zoti Putin ishte në pushtet në Rusi.

Në muajin shkurt gjatë vizitës së tij të parë në Departamentin e Shtetit në detyrën e presidentit, zotit Biden u tha punonjësve të agjencisë se ditët e "nënshtrimit" ndaj zotit Putin kanë përfunduar, çka u pa hapur si një goditje ndaj zotit Trump. Më vonë gjatë një interviste për rrjetin televiziv ABC News, zoti Biden iu përgjigj pozitivisht pyetjes nëse mendonte se zoti Putin ishte "një vrasës".

Prirja e zotit Trump për t’u përulur ndaj zotit Putin bëri që shumë në Uashington të ngrinin hapur dyshime se rusët mund të dispononin të dhëna problematike rreth manjatit të pasurive të patundshme. Si zoti Trump ashtu edhe zoti Putin i kanë hedhur publikisht poshtë spekulimet.

Në mënyrë të përsëritur ish-Presidenti Trump është përpjekur ta shuajë akuzën e fortë, nënvizuar nga komuniteti amerikan i zbulimit se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. I pyetur në konferencën e tyre të përbashkët për shtyp në fund të takimit mes tyre në 2018 në Helsinki të Finlandës, së cilin besonte zbulimin amerikan apo zotin Putin, zoti Trump ngriti pikëpyetje ndaj gjetjeve të inteligjencës amerikane.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden nuk do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me zotin Putin, por do të flasë për mediat më vete pas takimit të së mërkurës. Zyrtarët e administratës thonë se zoti Biden nuk dëshiron t’i japë fuqi zotin Putin. I pyetur të dielën rreth arsyeve se pse vite të tëra sanksionesh amerikane nuk e kanë ndryshuar sjelljen e zotit Putin, Presidentit Biden qeshi dhe u përgjigj: "Ai është Vladimir Putin".

Marrë nga "Zëri i Amerikës"/tiranapost.al