Lajme nga Bota

Në rajonin spanjoll vendoset ndalimi i duhanit në vendet publike

Në rajonin spanjoll vendoset ndalimi i duhanit në vendet publike

Rajoni Spanjoll i Galicias ka vendosur ndalimin e konsumimit të duhanit në vendet publike, për shkak të rrezikut për transmetimin e koronavirusit. Në këtë rajon nuk mund të pish më duhan në restorante, rrugë apo vende publike, ku distancimi social është i pamundur.

Rajoni veri-perëndimor është i pari që merr një masë të tillë, por edhe zyrtarët në ishujt Kanarie po ndjekin të njëjtin udhëzim. Vendimi është marrë për shkak se Spanja po përballet me nivelin më të keq të infeksionit në Europën Perëndimore.

Rastet me të infektuar në nivel ditor janë rritur nga 150 në qershor në më shumë se 1500 në gusht. 1690 raste u konfirmuan ditën e djeshme duke ngritur alarmin mes ekspertëve.

Vendimi për ndalimin e duhanit mbështetet edhe nga një hulumtim i kryer nga ministria e Shëndetësisë në Spanjë që tregon lidhjen mes pirjes së duhanit dhe përhapjes së ndjeshme të koronavirusit. Është zbuluar se kur njerëzit nxjerrin tymin e duhanit, ata lëshojnë më shumë grimca të virusit. Po ashtu duhanpirësit janë më të rrezikuar të infektohen dhe të infektojnë të tjerët pasi e prekin shpesh pjesën e gojës me gishta duke thithur cigaren.

Gjithashtu, duhani përkeqëson gjendjen e një të sëmuri me koronavirus pasi prek mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Alberto Fernández Villar, anëtar i komitetit klinik që këshillon qeverinë pasi tregoi vendimin tha:

"Ne e dimë se kjo është një masë jo e dashur për duhanpirësit, por jemi në një situatë të jashtëzakonshme."

Vendimi hyn në fuqi nesër, bashkë me urdhrin tjetër ku maskat bëhen me detyrim edhe në hapësirat publike.