Lajme nga Bota

Nga sot në SHBA mund të hysh pa test Covidi

Nga sot në SHBA mund të hysh pa test Covidi

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftuan se nga sot kushdo mund të hyjë në Amerikë pa nevojën për të bërë një test Covidi. Agjencia shëndetësore tha se do të vazhdojë të monitorojë gjendjen e pandemisë dhe do të rivlerësojë nevojën për një kërkesë testimi nëse situata ndryshon.

'Ky hap është i mundur për shkak të përparimit që kemi bërë në luftën tonë kundër COVID-19,' tha Sekretari amerikan i Shëndetësisë Xavier Becerra.

Linjat ajrore dhe kompanitë turistike kanë bërë presion mbi administratën për muaj të tërë për të eliminuar kërkesën e testimit, duke thënë se kjo i dekurajon njerëzit të rezervojnë udhëtime ndërkombëtare, sepse ata mund të bllokohen jashtë shtetit nëse infektohet me Covid gjatë udhëtimit të tyre.

Ndërkohë që udhëtimet e brendshme në SHBA janë kthyer pothuajse në nivelet para pandemisë, udhëtimi ndërkombëtar - i cili është shumë fitimprurës për linjat ajrore - ka vazhduar të mbetet i ulët.