Lajme nga Bota

OKB: Edhe Rusia, edhe Ukraina torturuan të burgosur

OKB: Edhe Rusia, edhe Ukraina torturuan të burgosur

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha të martën se Rusia dhe Ukraina kanë torturuar të burgosur të luftës gjatë konfliktit gati nëntëmujor mes tyre.

Ekipi monitorues i OKB-së, me bazë në Ukrainë, tha se i bazon gjetjet e tij në intervistat me më shumë se 100 të burgosur lufte në secilën anë të konfliktit.

Intervistat me të burgosurit ukrainas të luftës janë bërë pas lirimit të tyre, pasi Rusia nuk ka lejuar qasjen në lokacionet e paraburgimit, tha ky ekip.

Matilda Bogner, udhëheqëse e misionit monitorues në një konferencë për media në Gjenevë tha se shumica e të burgosurve ukrainas të intervistuar, kanë raportuar tortura dhe keqtrajtime nga forcat ruse. Ajo përmendi sulmet me qen, goditjet elektrike dhe dhunën seksuale.

Ndërsa të burgosurit rusë pretenduan për kushte të këqija dhe poshtëruese të transportit. Ata thonë se janë futur të zhveshur në kamionë ose furgonë, si dhe me duar të lidhura pas shpine.