Olena Zelenska jep intervistën e parë: Ukrainasit e kanë injoruar psikologun por, tani do na duhet

Në orët e para të 24 shkurtit, Olena Zelenska u bë e vetëdijshme për zhurmën e goditjeve të mbytura diku larg. Teksa ishte duke u zgjuar nga gjumi, ajo kuptoi se tingujt që po dëgjonte nuk mund të ishin fishekzjarre. Hapi sytë dhe kuptoi se ishte vetëm në shtrat. Ajo u hodh dhe nxitoi në dhomën tjetër, ku gjeti burrin e saj, presidentin Volodymyr Zelenskiy, tashmë të veshur për punë me kostum dhe kravatë.
'Çfarë po ndodh?' e pyeti ajo.
'Ka filluar,' i tha ai asaj.
“Kisha ndjesinë se isha brenda një realiteti paralel, se po ëndërroja”, thotë ajo që tregon sesi iu desh të largohej bashkë me fëmijët.
“Ishte një ndjenjë surreale … sikur isha duke luajtur një lojë kompjuterike dhe duhej të kaloja disa nivele për të arritur në shtëpi pastaj. Mundohesha të qeshja gjatë gjithë kohës që mos bëja shfaqja panik para fëmijëve. Thjesht ndoqëm urdhrat e sigurisë, shkuam atje ku na thanë”, thotë ajo.
Kanë kaluar tre muaj që nga ajo ditë. Sot, për The Guardian Olena Zelenska tregon sesi ka dëgjuar vazhdimisht sirenat, s`ka pasur burrin pranë, por fëmijët s`i ka larguar kurrë nga vetja. Oleksandra dhe Kyrylo kanë qenë gjithmonë me të.
Si Zonjë e Parë, gjatë gjithë kësaj kohe Olena edhe pse e konsideruar objektivi numër 2 i rusëve, pas burrit të saj, është angazhuar në përpjekje për të ndihmuar njerëzit e vendit të saj. Diku me ushqime, diku me informacione në Telegram, kurse sot thotë se si asnjëherë më parë, ukrainasit kanë nevojë për ndihmën e psikologut.
“Ukrainasit nuk janë mësuar të kërkojnë ndihmë nga psikologët. Ne priremi të injorojmë depresionin ose ankthin. Por tani të gjithë duhet t'i rishqyrtojmë këto stereotipe. Dhe do të duhet një fushatë e madhe informacioni për t'u vërtetuar njerëzve se nuk është faji i tyre që tani kanë nevojë për ndihmë psikologjike. Është e nevojshme dhe do të ketë momentin e vetë kjo çështje. Sepse fitorja është para së gjithash”, tha Olena Zelenska që do të ketë prioritet pasi gjithçka të ketë mbaruar.