Papa Françesku: Dera për daljen në pension është e hapur, por jo për momentin
Papa Françesku ka folur për herë të parë pas zërave se mund të ketë një dorëheqje nga Vatikani. Prej disa kohësh në daljet e tij, Papa përdor karrigen me rrota, për shkak të një problemi me gjurin. Megjithatë, siç ai thotë, nuk bëhet fjalë për asnjë sëmundje serioze.
“Nuk është ndonjë katastrofë të ndryshosh Papën, nuk është një tabu. Dera për daljen në pension është e hapur – është një opsion normal. Por deri më sot nuk kam trokitur në atë derë. Nuk e kam ndjerë nevojën të mendoj për këtë mundësi - kjo nuk do të thotë se brenda dy ditësh mund të mos filloj të mendoj për të”, tha Papa për gazetarët.
“Ky udhëtim në Kanada ka qenë intensiv. Nuk mendoj se mund të vazhdoj të udhëtoj me të njëjtin ritëm në moshën time dhe me kufizimin e këtij gjuri. Ose duhet të qetësohem pak për të vazhduar t'i shërbej Kishës, ose duhet të shqyrtoj mundësinë e të largohem”, shtoi ai.