Lajme nga Bota

Papa Françesku premton drejtësi pas publikimit të raportit për abuzime me fëmijët ku përmendet ish Papa Benedikti XVI

Papa Françesku premton drejtësi pas publikimit të raportit

Papa Françesku ka premtuar drejtësi pas publikimit të një raporti sipas të cilit ish Papa Benedikti XVI nuk kishte vepruar në katër raste të abuzimit seksual të fëmijëve në dioqezën e Mynihut, kur ishte kryepeshkop në vitet 1970 dhe 1980.

Françesku u takua ditën e sotme me anëtarët e zyrës së Vatikanit që trajton rastet e abuzimit seksual.

Edhe pse Papa nuk iu referua raportit tha se Kisha do të vazhdojë të trajtojë skandalin e abuzimit.

"Kisha, me ndihmën e Zotit, po kryen detyrën e saj me vendosmëri të patundur për të vënë drejtësi ndaj viktimave të abuzimit nga anëtarët e saj, duke zbatuar me vëmendje dhe rigorozitet të veçantë legjislacionin kanonik të parashikuar," tha Françesku në takim.

Françesku vuri në dukje se Vatikani kishte përditësuar së fundmi politikat e tij për të trajtuar në mënyrë më efektive rastet e abuzimit.

“Kjo nuk mund të mjaftojë për të frenuar fenomenin, por është një hap i domosdoshëm për të rivendosur drejtësinë, për të ‘riparuar’ skandalin dhe për të ndëshkuar shkelësin”, tha ai.

Raporti në Gjermani zbuloi se Benedikti XVI, i njohur në atë kohë si Kardinali Joseph Ratzinger, nuk kishte trajtuar si duhet katër raste të klerit abuziv gjatë mandatit të tij si kryepeshkop i Mynihut nga viti 1977 deri në vitin 1982.

Një nga autorët e raportit tha se neglizhenca e kardinalit përbënte sjellje të pahijshme.

Benedikti, i cili foli për autorët e raportit, është shprehur i mërzitur dhe i turpëruar për skandalin, sipas sekretarit të tij prej shumë kohësh.

Një zëdhënës i kancelarit gjerman Olaf Scholz tha se raporti i avokatëve të Mynihut "tregon qartë dhe në mënyrë tronditëse edhe një herë shkallën e abuzimit dhe shkeljes së detyrës nga personalitetet e kishës".

"Qeveria po bën thirrje për një hetim të plotë dhe transparent nga kisha," u tha në një konferencë për shtyp ditën e sotme.