Lajme nga Bota

Papa Françesku: Putini mund t`i japë fund luftës më 9 maj

Papa Françesku: Putini mund t`i japë fund luftës më 9 maj

Papa Françesku ka zbuluar një nga bisedat e bëra me kryeministrin hungarez Victor Orban. Ky i fundit i ka thënë Papës në takimin që zhvilluan në fund të prillit se presidenti rus Vladimir Putin po planifikon t'i japë fund pushtimit të Ukrainës më 9 maj - Ditën e Fitores së Rusisë.

Papa e zbuloi këtë pjesë të bisedës në intervistën për gazetën italiane “Corriere della Sera”, të botuar dje.

“Orban, kur e takova, më tha se rusët kanë një plan, se gjithçka do të përfundojë më 9 maj”, tha Papa Françesku.

“Kjo do të shpjegonte gjithashtu shpejtësinë e përshkallëzimit të këtyre ditëve. Sepse tani nuk është vetëm Donbasi, është Krimea, është Odesa, po ia heqin Ukrainës portin e Detit të Zi, është gjithçka. Nuk ka vullnet të mjaftueshëm për paqe. Unë jam pesimist, por ne duhet të bëjmë çdo gjest të mundshëm për të ndaluar luftën”, tha Papa.

Papa Françesku përsëriti deklaratat e mëparshme se është gati të udhëtojë në Moskë për t'u takuar me Putinin dhe e krahasoi luftën në Ukrainë me gjenocidin në Ruandë.

“Ne nuk kemi marrë ende një përgjigje dhe vazhdojmë të këmbëngulim, edhe pse kam frikë se Putini nuk mund dhe nuk dëshiron ta ketë këtë takim tani. Por kaq shumë brutalitet, si mund të mos e ndalosh? Njëzet e pesë vjet më parë ne përjetuam të njëjtën gjë me Ruandën”, tha Papa Françesku.

Papa tha se ai nuk do të udhëtojë në Kiev për momentin, në vend të kësaj të dërgojë një përfaqësues.

“Së pari duhet të shkoj në Moskë, së pari duhet të takoj Putinin. Unë do të bëja gjithçka që mundem nëse Putin do ma hapte derën”, tha ai.