Lajme nga Bota

Pas distancimit të Trump, Biden i rikonfirmon aleatëve të NATO: SHBA-të do të jenë atje për ju në rast nevoje

Pas distancimit të Trump, Biden i rikonfirmon aleatëve të NATO:

Ish-presidenti Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale me një platformë izolacioniste dhe me premtimin se nuk do të lejonte europianët “që të shfrytëzonin Amerikën për mbrojtjen e tyre”.

Që prej samitit të parë të NATO-s në të cilin mori pjesë në vitin 2017 u bëri thirrje vendeve anëtare “që të paguajnë çfarë u takon aleancës”, ndërkohë që foli edhe me nënkuptime se pas rënies së Murit të Berlinit, NATO kishte mbetur pa qëllim dhe objektiv.

Ardhja e presidentit Biden në pushtet, bëri që të rikthehej shpresa se mund të ketë stabilitet dhe rikthimin e SHBA-ve në skenën globale, si “polici i botës”. Ndryshimi 180 gradë i retorikës së Washington me administratën e re është treguesi më i qartë se këto shpresa u përmbushën.

Biden ka thënë se Washington-i vazhdon të jetë i investuar për sigurinë në Europë, duke e cilësuar këtë “një mision të shenjtë”.

“NATO është një aleancë jashtë mase e rëndësishme për interesat amerikane. Dhe në rast se nuk do të kishte interes, ne do ta krijonim një të tillë. Dua që e gjithë Europa ta dijë që Shtetet e Bashkuara janë këtu për ju”- ka thënë mes të tjerash presidenti amerikan në konferencën e përbashkët me kreun e NATO, Jens Stoltenberg.

Përsa i përket, ruajtjes së parimit të NATO që të gjitha shtetet të shpenzojnë më së paku 2% të buxhetit të tyre për mbrojtjen, Biden e “ka harruar” si çështje duke thënë se është i kënaqur me nivelin e investimeve aktuale. Kujtojmë se vetëm Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe Turqia e arrijnë këtë shifër, ndërkohë që shtete të tjera të mëdha, përfshirë Gjermaninë nuk shpenzojnë 2% të PBB në sektorin e mbrojtjes ushtarake.

Tiranapost.al