Lajme nga Bota

Pas dy vitesh izolim, Zelanda e Re ka një datë kur do të rihapet për turistët

Pas dy vitesh izolim, Zelanda e Re ka një datë kur do të rihapet

Planet ishin të tjera, por me shpërthimin e Deltës në fund të këtij viti, Zelanda e Re u detyrua të shtrëngojë masat e të vazhdojë t`i mbajë kufijtë të mbyllur edhe për këto festa.

Sipas njoftimit të fundit, udhëtarët ndërkombëtarë të vaksinuar plotësisht do të lejohen të hyjnë në Zelandën e Re nga 30 Prilli, tha në një konferencë shtypi Ministri Chris Hipkins. Udhëtarët do të duhet të izolohen për shtatë ditë pas mbërritjes.

Ata që kanë një vizë do të mund të udhëtojnë nga 16 janari.

Presioni është rritur mbi kryeministren Jacinda Ardern për të rihapur kufijtë ndërkombëtarë përpara festave të Krishtlindjeve në mënyrë që emigrantët e Zelandës së Re të mund të kthehen në shtëpi. Por shëndeti mbi të gjitha.

Dy ditë më parë, Zelanda e Re vendosi të rikthejë normalitetin brenda kufijve për të gjithë të vaksinuarit duke i mundësuar një jetë gati normale. Kurse të pavaksinuarit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, duke mos mundur të frekuentojnë asnjë ambient, veç atyre thelbësore, si supermarketet apo spitalet.