Lajme nga Bota

Pas shtimit të tensioneve ushtarake me Rusinë, Ukraina kërkon anëtarësim në NATO

Pas shtimit të tensioneve ushtarake me Rusinë, Ukraina kërkon

Pas shtimit të manovrave ushtarake nga ana e forcave ruse në kufirin lindor të Ukrainës, Kievi ka kërkuar zyrtarisht që të bëhet pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO, çka do të përbënte garanci të shtuar për sigurinë dhe integritetin e saj territorial, pasi sipas rregullave në fuqi çdo sulm përkundrejt një anëtari të NATO-s nënkupton automatikisht gjendje lufte me të gjitha shtetet anëtare në të.

Kërkesën e ka artikuluar Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy i cili tha se anëtarësimi sa më i shpejtë dhe pa pengesa i Ukrainës në NATO, është garancia e vetme se Rusia nuk do të sulmojë vendin me qëllim aneksimin e zonës të Donbasit, në një mënyrë të ngjashme siç veproi për rajonin e Krimesë.

Ndonëse, perëndimi e ka shprehur më parë vullnetin për të anëtarësuar Ukrainën në NATO, çështja është tejet delikate pasi anëtarësimi i një vendi kaq të afërt gjeografikisht me Moskën do të përbënte një provokim që mund të përshkallëzonte konfliktin në rajon dhe në botë. Gjithashtu, çështja komplikohet edhe më shumë në kushtet kur liderët e Francës dhe të Gjermanisë po negociojnë importin e vaksinave anti-COVID, Sputnik V nga Rusia, negociata që natyrisht do të minoheshin në rast se Ukraina anëtarësohej në NATO.

Së fundmi, duhet vlerësuar edhe fakti se anëtarësimi në NATO është më pak substancial sesa në kohën e Luftës të Ftohtë, pasi shumë vende të aleancës nuk do të ishin të gatshëm të kthenin armët kundër Rusisë, edhe sikur kjo e fundit të cënonte integritetin territorial ukrainas. Megjithatë, kërkesa në vetvete është një sinjal i fortë se Kieve rreshtohet me perëndimin dhe ndodhet tashmë shumë larg influencës së Moskës.

Tiranapost.al