Lajme nga Bota

Pasardhësi i Merkel/ Profilet e kandidatëve për Kancelarinë gjermane

Pasardhësi i Merkel/ Profilet e kandidatëve për Kancelarinë

Partitë e mëdha politike gjermane kanë mbajtur Konventat dhe tashmë kanë propozuar kandidatët e tyre për postin e Kancelarit. Beteja ka qenë interesante në CDU/CSU ku kryetari Armin Laschet u sfidua nga kreu i CSU, Markus Soder që ishte më popullor në sondazhet e opinionit publik, por nuk arriti të merrte mbështetjen e kryesisë së konservatorëve.

Gjithashtu, interesant ishte dhe procesi në Partinë e Gjelbër ku mes kreut burrë Robert Habeck dhe lideres grua Anna Baerbock, kanë zgjedhur këtë të fundit si një figurë që do të tërheqë më shumë vota, ndonëse Habeck ka më tepër eksperiencë në poste teknokratike.

Nga ana tjetër Social-Demokratët kanë pasur një përzgjedhje më formale, duke selektuar liderin e tyre dhe njëkohësisht Ministrin aktual të Financave, Olaf Scholz. Tre liderët do të jenë në epiqendër të kësaj fushatë elektorale që do të kulmojë me debatin televiziv që do të mbahet një javë para zgjedhjeve federale të 26 Shtatorit.

Ja një përmbledhje e profilit dhe çfarë duhet të dini për politikanët që mund të drejtojnë shtetin më potent në BE dhe do të marrin “stafetën” pas 16 vitesh të administratës Merkel.

Pasardhësi i Merkel/ Profilet e kandidatëve për Kancelarinë

Annalena Baerbock

40 vjeç, e studiuar në Hamburg dhe në “London School of Economics” për Ligj Ndërkombëtar. Ka qenë e zgjedhur eurodeputete përpara se të fitonte garën në vitin 2017 për të hyrë në Bundestag.

Disavantazhi i saj më i madh është fakti që nuk ka eksperiencë drejtimi në nivelin ekzekutiv dhe nuk ka qenë në krye të asnjë dikasteri lokal apo kombëtar.

Pasardhësi i Merkel/ Profilet e kandidatëve për Kancelarinë

Armin Laschet

Kryeministër 60-vjeçar i Rhine-Westphalia Veriore me një profil tipik konservator. U rrit në një familje të klasës punëtore me besim të fortë katolik dhe fitoi bursë për të studiuar në universitet nga fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung”. Ai ka qenë i zgjedhur në nivele të ndryshme për shumë vite, duket përfshirë edhe një mandat si eurodeputet.

Ai përfaqëson status-quo në CDU dhe ndonëse ky fakt i garantoi fitoren brenda partisë, mund të jetë kosto elektorale në një kohë që njerëzit duan të provojnë diçka të re, përtej modelit Merkel.

Pasardhësi i Merkel/ Profilet e kandidatëve për Kancelarinë

Olaf Scholz

62-vjeç, aktualisht ka postin e Ministrit tët Financave dhe zv.kryeministër, Scholz ka pasur një karrierë tipike politike duke filluar në qytetin e Hamburg si avokat përfaqësues i sindikatave dhe kryetar bashkie. Rritja e tij ka qenë graduale, por e pandërprerë. Aktualisht nuk po performon keq në sondazhet e opinionit publik. Është i njohur për aktivizmin e tij politik kur ishte i ri dhe një socialist radikal, kohë kur ka akuzuar publikisht NATO-n si një organizatë imperialiste.

Fakti që ai dhe partia e tij kanë bashkëqeverisur me Merkel për më shumë se 8 vjet është disavantazh i madh, sepse nuk mund të akumulojë votën e të pakënaqurve dhe as të frymëzojë votues të rinj. Për pasojë, shanset e Scholz për t’u përzgjedhur kancelar duke dalë i pari janë shumë të pakta dhe me gjasa të Gjelbrit do të jenë partia e parë e së majtës në Bundestag.

Tiranapost.al