Lajme nga Bota

Pavarësisht rreziqeve Alexei Navalny premton se do të rikthehet në Rusi

Pavarësisht rreziqeve Alexei Navalny premton se do të rikthehet

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny po planifikon të kthehet në Rusi të Dielën për herë të parë pas helmimit në gusht.

Ai ka deklaruar se do të ndërmarrë këtë vendim pavarësisht rrezikut se mund të burgoset. Vendimi, i njoftuar nga Navalny ditën e sotme sinjalizon qëllimin e tij për të vazhduar luftën politike kundër Vladimir Putin dhe krijon një dilemë për autoritetet se si të merren me një nga kritikët më të shquar të presidentit rus.

Navalny, i cili ka qenë duke marrë trajtim në Gjermani, akuzon Putinin për urdhërimin e helmimit të tij me agjentin nervor vdekjeprurës Novichok, dhe disa mbështetës të tij e kishin nxitur të qëndronte jashtë vendit për sigurinë e tij.

Putin ka mohuar që autoritetet ruse kanë tentuar të helmojnë Navalnyn duke deklaruar se agjentët rusë do ta kishin përfunduar punën nëse do ta kishin dashur atë të vdekur.

Kremlini ka thënë se nuk ka parë asnjë provë që Navalny ishte helmuar dhe se ai është i lirë të kthehet në Rusi në çdo kohë.

Alexei Navalny është një nga kritikët kryesorë të Presidentit Vladimir Putin. Pas deklaratave të tij kundër Presidentit atij iu bë një atentat në Gusht dhe u tentua që ai të helmohej, por arriti që të shpëtonte.

Artikulli i marrë nga Reuters, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.