Pavel Durov reagon për arrestimin në Francë: Aplikojnë ligje nga epoka e para-smartphonëve
Themeluesi i aplikacionit të mesazheve Telegram, Pavel Durov, nën hetim në Francë, e ka cilësuar të gabuar arrestimin e tij, ndërsa ka shtuar se autoritetet franceze duhet t’i drejtoheshin kompanisë së tij për ankesat që kishin.
“Nëse një vend është i pakënaqur me një shërbim interneti, praktika e vendosur është të fillojë një veprim ligjor kundër vetë shërbimit,” shkroi ai.
Në vijim Durov tha se “përdorimi i ligjeve nga epoka e para-smartphone-it për të ngarkuar një CEO për krime të kryera nga palë të treta në platformën që ai menaxhon është një qasje e gabuar”.
Telegrami, tha ai, nuk ishte perfekt, por ai mohoi çdo abuzim të lidhur me aplikacionin.
“Por pretendimet në disa media se Telegram është një lloj parajse anarkike janë absolutisht të pavërteta”, shkroi ai duke shtuar “ne heqim miliona postime dhe kanale të dëmshme çdo ditë”.
Durov është akuzuar nga drejtësia franceze për lejimin e veprimtarisë kriminale në aplikacionin e mesazheve, por i shpëtoi qëndrimit në burg me një garanci prej 5 milionë eurosh. Ai u lirua me kusht që të paraqitej në një komisariat dy herë në javë dhe të qëndronte në Francë.
Akuzat kundër Durov përfshijnë bashkëpunim në përhapjen e imazheve seksuale të fëmijëve dhe një sërë shkeljesh të tjera të supozuara në aplikacionin e mesazheve.