Peticioni për të dëbuar të dashurën e Putinit nga Zvicra mbledh 35 mijë firma brenda pak orëve
"Ribashkoni Eva Braun me Hitlerin e saj". Ky është përshkrimi i një peticioni të nisur në platformën Change.org nga një grup aktivistësh zviceranë për t'u kërkuar autoriteteve vendase të dëbojnë Alina Kabaeva, e dyshuar si e dashura e presidentit rus Vladimir Putin. Peticioni arriti të mbledhë në një kohë shumë të shkurtër 35 mijë firmat që ishin vendosur nga krijuesit e nismës.
Kush është Alina Kabaeva
Ish-gjimnastja ruse, Alina Kabaeva, e dashura e Putinit sipas raportimeve të ndryshme në media, fshihet në Zvicër me fëmijët e liderit rus. Sipas disa gazetave, marrëdhënia mes të dyve ka filluar në vitin 2008, kur Putin ishte ende i martuar me Lyudmila Skrebneva.
Kabaeva ishte deputete dhe përfaqësonte partinë Rusia e Bashkuar në Dumën e Shtetit nga viti 2007 deri në 2014. Aktualisht është kryetare e bordit drejtues të National Media Group, një grup mediatik që kontrollon gazeta dhe kanale të ndryshme televizive.
Peticioni i publikuar në Change.org akuzon se “megjithë luftën e vazhdueshme, Zvicra vazhdon të presë bashkëpunëtoren e regjimit të Putinit”.