Propozimi me 500 paund për këdo që del pozitiv në testin e virusit: Çfarë kërkon qeveria britanike në këmbim
Çdo person që del pozitiv në testin e koronavirusit mund të marrë 500 paund. Ky është propozimi i qeverisë britanike, në këmbim që ata të qëndrojnë në shtëpi. Mediat britanke kanë zbuluar dokumentin dhe thuhet se propozimi ka ardhur fillimisht nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social.
Sondazhet e qeverisë britanike treguan se vetëm 17% e personave me simptoma të virusit paraqiten në qendrat e testimit, dhe kjo tregon rrezikun e madh të përhapjes së infeksionit mes popullatës. Sondazhet tregojnë gjithashtu se vetëm një në katër britanikë zbatojnë rregullin e vetizolimit për 10 ditë nëse dalin pozitivë në test, ndërsa 15% e tyre vazhdojnë punën dhe aktivitetin e përditshëm si normalisht.
Skema e propozuar e shpërndarjes 500 paund do të kushtojë deri në 453 milion paund në javë, 12 herë më e madhe se kostoja e sistemit aktual. Ndër ata që mirëpresin propozimin është 'Fondacioni i Rezolucionit', një institut që ka llogaritur më parë se vetëm një në 8 punëtorë kualifikohet për mbështetjen financiare që u ofrohet aktualisht atyre që u kërkohet të vetë-izolohen.
Megjithatë, burime për mediat britanike nga qeveria thonë se ky është vetëm një nga opsionet që po diskutohet si pjesë e një plani për të çuar vendin drejt normalitetit.
Kryeministri Boris Johnson ka refuzuar të përjashtojë bllokimin që mund të zgjasë deri në verë, ndërsa Priti Patel nga ministria e Brendshme ka thënë se është shumë herët për të thënë nëse britanikët do të jenë të lirë të udhëtojnë në vende të tjera gjatë pushimeve verore.
Një grup prej 70 deputetësh nga partia Tory i kanë kërkuar kryeministrit të publikojë planin për heqjen e masave deri në fillim të marsit.
*Metro/ Tiranapost.al.