Lajme nga Bota

Pse asnjë vaksinë s'mund të jetë 100% efektive? Rasti me atë të gripit dhe rubeolës. Virusi prapë do qarkullojë

Pse asnjë vaksinë s'mund të jetë 100% efektive? Rasti

Tre vaksinat, Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca për të cilat aktualisht flitet në gjithë botën, kanë rritur shpresat se mund të shpëtojmë nga kjo pandemi, veçanërisht për shkak të efikasitetit me mbi 90%.

Megjthatë, fakti që asnjë prej tyre nuk raporton efikasitet me 100 % mund të ngjallë dyshime tek disa. Por e vërteta është se në raste të tilla nuk mund të garantohet efikasiteti me 100%.  Ekspertët besojnë se vaksinat e reja të koronavirusit mund të ofrojnë mbrojtje edhe më të mirë se shumë vaksina të tjera të hershme, për viruse të ngjashme.

"Efektiviteti me 70 ose 90 % është jashtëzakonisht i lartë", thotë Doktor Andreë Preston nga Universiteti Bath. Sipas tij kjo do të thotë se 9 deri në 10 njerëz të vaksinuar nuk do të sëmuren me Covid nëse do të ekspozohen ndaj virusit.

Ai shton:

‘Vaksina mund të mos e ndalojë infektimin, por do  të ndalonë zhvillimin e simptomave të sëmundjes’.

Si funksionojnë vaksinat?

Vaksinat funksionojnë duke krijuar një 'memorie' të sëmundjes nëse sistemi imunitar bie përsëri në kontakt me të, ajo njeh sëmundjen dhe shkakton një 'përgjigje më të madhe dhe më afatgjatë', që do të thotë se nuk ka një shans që të mbahet dhe të shkaktojë simptoma, shpjegon Will Irving, një profesor i virologjisë në Universitetin e Nottingham i cili shton:

‘Kur zhvillohet një vaksinë, bëhen prova klinike për të zbuluar nëse është efektive dhe nëse është, sa e efektshme është. Për ta zbuluar këtë, merret një grup njerëzish që vaksinohen dhe një tjetër që konsiderohet grupi placebo pa vaksinë. Më pas numërohen rastet e sëmundjes tek secili grup për një periudhë të caktuar. Nëse raportohen 25 raste të sëmundjes në grupin e vaksinuar dhe 50 raste në placebo, vaksina është 50 % efektive – që do të thotë se ka parandaluar zhvillimin e sëmundjes në gjysmën e njerëzve në grupin e vaksinuar’.

Sidoqoftë, ndërsa qëllimi është efektiviteti prej 100%, në fakt kjo është e pamundur të arrihet sepse përbërja njerëzore ndryshon shumë.

Të tre vaksinat e koronavirusit kanë shkallë shumë të lartë efektiviteti, deri në 95%. Për krahasim vaksina e gripit është mesatarisht efektive vetëm 50%.

Dy doza të vaksinës së fruthit, shytave dhe rubeolës mbrojnë 99 % të njerëzve nga fruthi dhe rubeola dhe 88 % kundër shytave; ndërsa vaksina e kollës së mirë është fillimisht 80 %, mbrojtja bie në 60 % pas katër vjetësh, dhe kjo është arsyeja pse fëmijët bëjnë vaksinë përforcuese.

Ekziston shumë ndryshim në sistemin imunitar të popullatës që çdo vaksinë të jetë 100 % efektive, thotë Doktor Preston. ‘Për shembull, ndërsa plakemi, sistemi ynë imunitar përgjigjet më pak, që do të thotë se vaksinimi i njerëzve të moshuar në përgjithësi është një problem. Kjo është arsyeja pse vaksinat e gripit dhe pneumonisë, të cilat kryesisht u drejtohen njerëzve të moshuar, përmbajnë ndihmës - përbërës që rrisin përgjigjen imune ndaj vaksinës, që do të thotë se ka më shumë të ngjarë të prodhojmë antitrupa dhe të mbrohemi'.

Çdo gjendje që dobëson sistemin imunitar, përfshirë obezitetin, gjithashtu mund të ndikojë në reagimin tonë ndaj një vaksine.

‘Obeziteti krijon një gjendje inflamatore në trup dhe mendohet se gjendja inflamatore e rritur mund të shterojë sistemin imunitar, duke e bërë atë më pak të aftë t’i përgjigjet vaksinave’.

Vaksinimi nuk do të ndalojë vetëm simptomat tek individi, ai gjithashtu mund të ndalojë qarkullimin e sëmundjes. Për shembull, nëse më shumë se 90 % e njerëzve vaksinohen, kjo zvogëlon sasinë e sëmundjes që qarkullon, gjithashtu mbron ata që nuk janë të vaksinuar. Në fund të fundit, kjo mund të çojë në çrrënjosjen e një sëmundjeje, siç ndodhi me linë (vaksina ishte 95 % e efektshme).

Saktësisht se sa njerëzve u duhet të bëjnë vaksinën anti Covid për të krijuar imunitetin e masës është e paqartë; Pasi kjo varet nga sa infektive është sëmundja - ‘R’, ose shkalla e riprodhimit - dhe sa efektive është vaksina.

Gjithashtu nuk është e qartë nëse një në dhjetë që vaksinohet kundër Covid-19 dhe ende nuk ka simptoma, do të sëmurej më rëndë nëse nuk do të kishte bërë vaksinën.

Një tjetër e panjohur është nëse vaksinimi do të ndalojë njerëzit të jenë infektivë, i ashtuquajtur imunitet sterilizues.

‘Të gjitha vaksinat janë të dizajnuara për të ndaluar sëmundjen kundër të cilave ata janë shënjestruar, por është shumë e vështirë të gjenerosh imunitet që në të vërtetë ndalon infeksionin’, thotë Doktor Preston.

‘Pra, pa marrë parasysh sa njerëz janë vaksinuar, virusi përsëri do të qarkullojë’.

Në fund doktor Preson thotë:

‘Derisa të kemi më shumë përgjigje, shkenca duhet të jetë transparente. Asnjë ilaç nuk është pa rrezik dhe ne duhet të jemi të sinqertë për këtë, ndërsa në të njëjtën kohë luftojmë dezinformimin’.

*Artikulli i marrë nga Daily Mail. Përkthyer dhe përshtatur në shqip për Tiranapost.al. E.B