Pse pallati mbretëror nuk i dërgon eshtrat e princit të Etiopisë dhe si qëndron historia e tij me Mbretëreshën e famshme Viktoria

Pallati Buckingham ka refuzuar një kërkesë për të kthyer eshtrat e një princi etiopian, i cili u varros në Kështjellën Windsor në shekullin e 19-të.
Princi Alemayehu u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar në moshën shtatë vjeçare dhe mbeti jetim pasi nëna e tij vdiq gjatë udhëtimit.
Mbretëresha Victoria ishte ajo që u kujdes për të dhe arsimimin e tij derisa ai vdiq në moshën 18-vjeçare. U varros në Buckingham.
Por familja e tij dëshiron që eshtrat të kthehen në Etiopi.
“Ne duam që eshtrat e tij të kthehen tek ne. Kërkesën e bëjmë si familje dhe si etiopianë, sepse ai nuk është vendi në të cilin ai ka lindur”, tha një nga pasardhësit mbretërorë Fasil Minas për BBC.
"Nuk ishte e drejtë"që ai të varrosej në MB", shtoi ai.
Por në një deklaratë dërguar BBC-së, një zëdhënës i Pallatit të Buckingham tha se heqja e eshtrave të tij mund të lëvizë eshtrat e të tjerëve të varrosur në varrezën e Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor.
"Ka shumë pak gjasa që të zhvarrosen eshtrat pa e shqetësuar vendin e prehjes së një numri të konsiderueshëm të të tjerëve që janë afër," tha pallati.
Deklarata shtoi se autoritetet në kishë ishin të ndjeshëm ndaj nevojës për të nderuar kujtimin e Princit Alemayehu, por se ata gjithashtu kishin "përgjegjësinë për të ruajtur dinjitetin e të ndjerit".
Ai tha gjithashtu se në të kaluarën Shtëpia Mbretërore kishte "përshtatur kërkesat nga delegacionet etiopiane për ta vizituar".
Se si Princi Alemayehu përfundoi në Britaninë e Madhe në një moshë kaq të re ishte rezultat i veprimit perandorak dhe dështimit të diplomacisë.
Në 1862, në një përpjekje për të forcuar perandorinë e tij, babai i princit, Perandori Tewodros II, kërkoi një aleancë me Mbretërinë e Bashkuar, por letrat e tij për të forcuar çështjen e tij nuk morën përgjigje nga Mbretëresha Victoria.
I zemëruar nga heshtja dhe duke i marrë gjërat në duart e tij, perandori mbajti peng disa evropianë, mes tyre edhe konsullin britanik. Kjo nxiti një ekspeditë të madhe ushtarake, duke përfshirë rreth 13,000 trupa britanike dhe indiane, për t'i shpëtuar ata.
Në prill 1868 ata rrethuan kështjellën malore të Tewodros në Maqdala në Etiopinë veriore dhe brenda pak orësh e pushtuan.
Perandori vendosi që më mirë të merrte jetën e tij sesa të ishte i burgosuri i britanikëve, një veprim që e ktheu atë në një figurë heroike mes popullit të tij.
Pas betejës, britanikët plaçkitën mijëra objekte kulturore dhe fetare. Këto përfshinin kurora ari, dorëshkrime, gjerdan dhe fustane.
Historianët thonë se duheshin dhjetëra elefantë dhe qindra mushka për të larguar thesaret, të cilat sot janë të shpërndara nëpër muzetë dhe bibliotekat evropiane si dhe në koleksione private.
Britanikët morën gjithashtu Princin Alemayehu dhe nënën e tij, perandoreshën Tiruwork Wube.
Britanikët mund të kenë menduar se kjo ishte për t'i mbajtur ata të sigurt dhe për të parandaluar që ata të kapeshin dhe ndoshta të vriteshin nga armiqtë e Tewodros, të cilët ishin afër Maqdala-s, sipas Andrew Heavens, libri i të cilit "Princi dhe plaçkitja" rrëfen jetën e Alemayehut.
Pas mbërritjes së tij në Britani në qershor 1868, gjendja e vështirë e princit dhe statusi i tij si jetim fituan simpatinë e mbretëreshës Victoria. Të dy u takuan në shtëpinë e pushimit të mbretëreshës në Isle of Wight, në brigjet jugore të Anglisë.
Ajo pranoi ta mbështeste financiarisht dhe e vuri nën kujdestarinë e kapitenit Tristram Charles Sawyer Speedy, njeriu që kishte shoqëruar princin nga Etiopia.
Kapiteni Speedy u bë kujdestari i Princit Alemayehu. Ata fillimisht jetuan së bashku në Isle of Wight dhe më pas kapiteni Speedy e çoi në pjesë të tjera të botës, përfshirë Indinë.
U vendos që princi të kishte një arsim formal.
Ai u dërgua në shkollën publike britanike Rugby, por nuk ishte i lumtur atje. Më vonë ai u transferua në Kolegjin Ushtarak Mbretëror në Sandhurst, ku iu nënshtrua bullizmit.
Princi kishte një dëshirë për t'u kthyer në shtëpinë e tij, por kjo ide u rrëzua me shpejtësi.
Përfundimisht, Alemayehu përfundoi duke i marrë mësimet në një shtëpi private në Leeds. Por ai u sëmur, ndoshta me pneumoni, dhe në një moment refuzoi trajtimin duke menduar se ishte helmuar.
Pas një dekade në mërgim, princi vdiq në 1879 në moshën 18-vjeçare.
Sëmundja e tij ishte bërë objekt artikujsh në shtypin kombëtar, kurse në ditarin e saj mbretëresha Victoria shkruante për trishtimin nga vdekja e tij.
"Shumë e pikëlluar dhe e tronditur kur lexova me telegram se Alemayehu i mirë kishte ndërruar jetë sot në mëngjes. Është shumë e trishtueshme! I vetëm, në një vend të huaj, pa asnjë person apo të afërm rreth tij", shkruante ajo.
"Jeta e tij nuk ishte e lumtur, por plot vështirësi të çdo lloji, dhe ishte aq i ndjeshëm, duke menduar se njerëzit e shikonin atë për shkak të ngjyrës së tij... Të gjithëve u vjen shumë keq."
Më pas ajo organizoi varrimin e tij në Kështjellën Windsor.
Kërkesat që trupi të kthehet nuk janë të reja.
Në vitin 2007, presidentja e atëhershme e vendit, Girma Wolde-Giorgis i dërgoi një kërkesë zyrtare Mbretëreshës Elizabeth II që trupi të kthehej, por këto përpjekje rezultuan të pafrytshme.
"Ne duam që ai të kthehet. Ne nuk duam që ai të qëndrojë në një vend të huaj," tha ajo.
"Ai kishte një jetë të trishtuar. Kur mendoj për të qaj. Nëse ata pranojnë t'i kthejnë eshtrat e tij, do më dukej sikur ai të kthehej i gjallë në shtëpi."
Ajo kishte shpresuar se do të merrte një përgjigje pozitive nga Mbreti i sapokurorëzuar Charles III.
"Kthimi le të jetë një mënyrë për të sjellë pajtimin, për të njohur atë që ishte e gabuar në të kaluarën," thotë profesoresha Alula Pankhurst, një specialiste në marrëdhëniet britaniko-etiopiane.
Beson se kthimi i trupit do të ishte një mënyrë për Britaninë për të rimenduar të kaluarën e saj. Një reflektim dhe pajtim me një të kaluar perandorake.