Lajme nga Bota

Putin miraton ligjin që i hap rrugën qëndrimit në pushtet deri në 2036

Putin miraton ligjin që i hap rrugën qëndrimit në pushtet

Presidenti i Rusisë, paçka moshës 68-vjeçare, dukshëm nuk po planifikon daljen në pension. Sot ai ka firmosur një ligj që do i lejojë të kandidojë edhe dy herë të tjera për President, duke e lejuar teorikisht të qëndrojë në Kremlin deri në vitin 2036.

Putin ka firmosur legjislacionin sipas të cilit atij i lejohet që të rinisë numërimin e kandidimeve për President (pasi Kushtetuta e Federatës Ruse parashikon se Presidenti mund të qëndrojë në pushtet vetëm dy mandate), çka ka ngjallur zemërimin e kritikëve të tij që e kanë konsideruar këtë veprim “një kapje të hapur të pushtetit”.

Putin ka qenë nr.1 i shtetit rus që pas largimit të Boris Yeltsin në vitin 2000 dhe në rast se do ja arrinte të qëndronte në pushtet deri në 2036, një skenar i mundshëm pas firmës së hedhur sot, Putin do të ishte lideri më jetëgjatë në historinë moderne të Rusisë, duke tejkaluar edhe Stalinin që qeverisi Bashkimin Sovjetik për 29 vite.

Mediat ndërkombëtare e interpretojnë këtë vendim të Putin, si një lëvizje për të dhënë garanci për ruajtjen e regjimit, në kushtet që perspektiva se mund të largohej kishte nxitur garë dhe konflikte brenda eksponentëve të lartë të regjimit të tij.

Ai që duket më i humburi nga ky skenar është ish-kryeministri dhe ish-presidenti Dmitry Medvedev që shihej nga shumëkush si pasardhësi natyral i Putin në postin e Presidentit, por tani momenti që Putin do të “kalojë stafetën” duket ende shumë i largët.

Tiranapost.al