Putin për herë të parë në Ukrainë që prej pushtimit. Ç'nënkupton vizita e tij?

Vladimir Putin ka bërë një vizitë të papritur në Mariupolin e pushtuar nga Rusia. Kjo është vizita e tij e parë në territorin e pushtuar nga forcat e tij në konfliktin njëvjeçar.
Po ç'nënkupton kjo vizitë?
Vizita ishte një akt i dukshëm kundërshtimi, i ardhur vetëm disa ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për të.
Ajo nxiti gjithashtu zemërimin e Ukrainës – ministria e mbrojtjes e krahasoi Putinin me një “hajdut” që viziton “nën errësirën e natës” - qytetin e shkatërruar nën ofensivën e Rusisë.
Putini fluturoi në Mariupol me helikopter.
Presidenti rus shfaqet duke takuar banorë në dukje të befasuar. Putin i thotë një njeriu “ne duhet të fillojmë të njohim njëri-tjetrin më mirë”.
Kremlini këmbënguli se vizita ishte "spontane". Nuk është e qartë se kur u zhvillua, megjithëse të shtunën Putin vizitoi Krimenë për të shënuar nëntëvjetorin e aneksimit të saj.
Të gjitha pamjet e publikuara nga vizita e Putinit janë pas errësirës, një mënyrë e mundshme për të fshehur dëmet.
Vizita është veçanërisht provokuese për ukrainasit pasi Mariupol ishte prej kohësh një simbol i rezistencës që ka dëshmuar disa nga luftimet më intensive që kur Rusia filloi pushtimin e saj.
Gjatë udhëtimit, Kremlini tha se Putin ekzaminoi gjithashtu vijën bregdetare të Mariupolit, duke vizituar një klub jahtesh dhe një ndërtesë teatri.
Zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin, i cili e shoqëroi, foli në detaje me Putinin për "punën e vazhdueshme të ndërtimit dhe restaurimit" në qytet.
Në video, Khusnullin i thotë Putinit: “Ekziston një plan për ta rindërtuar atë deri në fund të vitit të tretë. Ne planifikojmë që ai të jetë një aeroport plotësisht funksional i aftë për të kryer fluturime në të gjitha qytetet e Rusisë dhe jashtë saj.
Një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, kritikoi "cinizmin" dhe "mungesën e pendimit" për vizitën e Putinit.
"Krimineli gjithmonë kthehet në skenën e krimit," shkroi Podolyak në Twitter.
Mariupol, një qytet port në Detin Azov, ndodhet në rajonin Donetsk të Ukrainës dhe ka qenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Rusisë që nga maji 2022.
Mariupol u bë një simbol i rezistencës ukrainase gjatë javëve të sulmeve të pamëshirshme ruse vitin e kaluar.
Analistët e mbrojtjes i thanë më parë CNN se forcat ruse u përpoqën të rrafshonin Mariupolin për ta bërë qytetin "më të lehtë për t'u kontrolluar".
Nga 450,000 njerëz që jetonin në qytet para luftës, më shumë se një e treta tashmë është larguar.