Putin thyen heshtjen për vdekjen e Prigozhin: Ishte një njeri i talentuar me një fat të vështirë
Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e dhjetë personave që ishin në bordin e avionit, përfshirë shefin e mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili u rrëzua pranë Moskës të mërkurën në mbrëmje.
Duke folur në Kremlin, Putin e përshkroi Yevgeny Prigozhin, si një “njeri të talentuar, por me një fat të vështirë”.
“Unë e njihja Prigozhin për një kohë shumë të gjatë, që nga fillimi i viteve '90. Ai ishte një njeri me fat të vështirë dhe bëri gabime të rënda në jetë,” tha Putin duke shtuar se Prigozhin kishte arritur rezultatet e nevojshme si për interesat e tij, ashtu edhe për një kauzë të përbashkët me kërkesën e Putinit.
“Ai ishte një njeri i talentuar, një biznesmen i talentuar. Ai ka punuar jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë vendit, në Afrikë", tha presidenti rus.
Putin u zotua gjithashtu të hetojë shkaqet e rrëzimit, i cili ndodhi pak pasi avioni u ngrit nga një aeroport i Moskës, rrugës për në Shën Petersburg.