Putini duhet të kishte ardhur për t'u përballur me ne! Rishi Sunak shpërthen në takimin e G20

Rishi Sunak në takimin e G20-ës është shprehur se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duhet të ishte prezent për t’u përballur me liderët botërorë për pushtimin e Ukrainës.
Në seancën hapëse të samitit, ku mori pjesë edhe ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kryeministri britanik përdori fjalimin e tij për të dënuar pushtimin e Ukrainës dhe shënjestrimin e civilëve dhe paralajmëroi liderët botërorë për kërcënimin që ai përbënte për rendin ndërkombëtar.
“Është e dukshme që Putini nuk u ndje në gjendje të bashkohej me ne këtu. Pushtimi i paligjshëm rus i Ukrainës ka implikime të thella për të gjithë ne, sepse ka minuar parimet themelore të sovranitetit dhe integritetit territorial. Është shumë e thjeshtë – vendet nuk duhet të pushtojnë fqinjët e tyre, nuk duhet të sulmojnë infrastrukturën civile dhe popullsinë civile dhe nuk duhet të kërcënojnë përshkallëzimin bërthamor. Sigurisht që këto janë gjëra për të cilat ne të gjithë mund të biem dakord.”