Qyteti i dytë më i madh në Britaninë e Madhe shpall falimentin

Birminghami, qyteti i dytë më i madh i Britanisë së Madhe shpalli falimentin të martën.
Këshilli i Qytetit , i cili ofron shërbime për më shumë se një milion njerëz, paraqiti një njoftim, duke ndaluar të gjitha shpenzimet, përveç shërbimeve thelbësore. Një ndër autoritetet lokale më të mëdha në Europë, ka deklaruar se nuk ishte në gjendje të shlyente detyrimet financiare të administratës.
Borxhi që e ka çuar entin në krizë, sipas këshillit ishte një llogari historike për pagesa të pabarabarta.
Një vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 2012 vendosi se qindra gra ishin diskriminuar në shpërblimet e dhëna krahasuar me homologët e tyre meshkuj. Këshilli tashmë ka paguar afërsishtë 1.1 miliardë paund, por në qershor një faturë shtesë e zbuluar prej 760 milionë paund rëndon në kapacitetin e buxhetit të këshillit.
Administrata lokale në të gjithë Britaninë është përballur me vështirësi financiare për shkak të shtimit të kërkesës për asistencë nga ana e qytetarëve. Gjithashtu, efekte negative në buxhet ka pasur dhe reduktimi i përgjithshëm i të ardhurave, si dhe vala e inflacionit.
Sipas autoriteteve, pritet që borxhi i akumuluar të rritet deri ne 2 miliardë paund. Ndërkohë që në korrik, zyrtarë të financave britanike thanë se po luftojnë për të përmbushur kërkesat gjithnjë e në rritje për shërbime bazë të detyruara me ligj nga autoritet lokale.