Roberto Saviano për fitoren e Trump: Rrjetet sociale kanë vrarë demokracinë
Nga Roberto Saviano/ Pa rregulla për mediat sociale, asnjë demokraci nuk është më e mundur. Duke lejuar reduktimin e vëmendjes në 8 sekonda, duke lejuar që lajmet të shpërthejnë në sipërfaqësinë më qesharake, duke i dhënë hapësirë, qendër dhe autoritet çdo jo-entiteti me një grusht ndjekësish (shpesh të blerë, pra të fituar me boost)... të gjithë ekspertët e gjithçkaje (gjithologët) e kanë shkatërruar demokracinë . Debati politik i zhvendosur në mediat sociale është ekzekutori i demokracisë. Po, padyshim që përgjegjësia për fitoren e Trump nuk mund t'i jepet vetëm mediave sociale; të majtët kanë dështuar kudo, në projekte, në strategji, në zgjedhjen e liderëve të tyre dhe në padijen për të ndaluar fuqinë e tepruar të teknologjisë së madhe që na bën të besojmë se nevojat e 1% janë edhe ato të 99% të mbetur, të cilët nuk kanë as burimet për trajtim. Nuk është faji i mediave sociale, por i mënyrës sesi përdoren ato? Gënjeshtër! Siç thotë McLuhan, ai që beson se teknologjia është neutrale, është "idiot teknologjik". Dhe përmbajtja në rrjete sociale - edhe postimet tona - janë si mishi që hajduti ia tund qenit që ruan shtëpinë, për të hyrë brenda shtëpisë.
Këtu objektivi i vetëm është t'ju bëjë të qëndroni sa më shumë, të marrin të dhëna dhe t'i shesin ato për reklamat. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për të brendshme, këpucë, Ukrainën apo poezi. Kushdo që beson - unë badallai i parë - se ka më shumë se kaq, po mashtron veten duke ushqyer një vend që nuk ka qëllim tjetër veçse t'i bëjë konsumatorët e tij të konsumojnë shpejt, keq dhe të përfshihen në mënyrën më të keqe të mundshme. Duhet të lindin rrjete të reja sociale, të vendosen rregulla të reja, të vendoset transparenca. Mediat sociale dhe uebi i mbetur pa rregulla e kanë lejuar Trump... Kanali i Twitter (ndërkohë i bërë X), Facebook, Instagram dhe TikTok kanë mbetur pa rregulla, pa konkurrentë europianë. A ishte televizioni më i mirë? Jo, por ndryshe. Gazetat më të mira? Jo, gjithmonë sipas interesit, por braktisja nga lexuesit ishte e mundur dhe linja e kontrollueshme. Braktisja tashmë ka ndodhur pothuajse tërësisht. Kush lexon më gazeta? Në mediat sociale, në këto rrjete të tmerrshme sociale ju jeni të mbërthyer dhe të pavetëdijshëm se si funksionojnë ato. Çfarë na ka mbetur? Hedhja në erë e rrjeteve sociale? T'i ndryshojë ato? Dhe si? Nga periferitë italiane, pra?