Lajme nga Bota

Rrezikon të vdesë në burg/ VOA: Mbështetësit e Alexei Navalny planifikojnë protestat më të mëdha në historinë e Rusisë!

Rrezikon të vdesë në burg/ VOA: Mbështetësit e Alexei

Aleatët e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny zbuluan të dielën planet për ato që shpresojnë të jenë protestat më të mëdha në historinë moderne të Rusisë të cilat priten të zhvillohen të mërkurën. Njoftimi i tyre vjen ndërsa Uashingtoni ka paralajmëruar Moskën se do të paguajë një çmim nëse zoti Navalni vdes në burg për shkak të grevës së urisë.

Gjërat po zhvillohen shumë shpejt dhe po shkojnë shumë keq“, shkruanin aleatët e tij në një deklaratë në internet, duke njoftuar planet e tyre për demonstrime mbarëkombëtare në rrugë, të cilat ata i karakterizuan si një përpjekje për t’i siguruar atij kujdesin e nevojshëm shëndetësor që do t’i shpëtonte jetën. Por demostratat do të jenë gjithashtu dhe një protestë ndaj goditjes që autoritetet ruse u kanë bërë mbështetësve të zotit Navalni.

Një situatë ekstreme kërkon vendime ekstreme“, thanë ata.

Të dielën Këshilltari i Presidentit Joe Biden për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan tha për rrjetin televiziv CNN se qeveria amerikane i ka thënë Rusisë se “do të përballet me pasoja” nëse kritiku i Kremlinit Aleksei Navalni vdes në burg.

“Ne i kemi bërë të ditur qeverisë ruse se ajo që i ndodh zotit Navalni në burg është përgjegjësi e tyre dhe se bashkësia ndërkombëtare do t’i vendosë ata para përgjegjësisë”, tha zoti Sullivan për rrjetin CNN.

Zoti Sullivan tha se në këtë drejtim po shqyrtohen një seri masash që do të rëndojnë mbi Moskën, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Vajza e Alexei Navalnit: Babai ka nevojë për mjekim

Të dielën, vajza e kritikut të Kremlinit Aleksei Navalni, u bëri thirrje autoriteteve ruse të lejojnë që një mjek të kurojë babanë e saj, i cili ndodhet në burg dhe prej fundit të muajit mars është futur në grevë urie. Kërkesa e saj pason paralajmërimin e një grupi mjekësh se zoti Navalni rrezikon të vdesë.

Aleksei Navalni, një kundërshtar i ashpër i Presidentit rus Vladimir Putin, u fut në grevë urie në 31 mars si protestë ndaj asaj që ai tha se ishte refuzim i autoriteteve të burgut për t’i siguruar kujdesin e duhur mjekësor për dhimbjet e forta të shpinës dhe këmbës.

Autoritetet e burgut thonë se ata i kanë ofruar zotit Navalni kujdesin e duhur shëndetësor. Por politikani 44-vjeçar i opozitës e ka refuzuar një gjë të tillë dhe ka këmbëngulur të trajtohet nga një mjek i zgjedhur nga jashtë institucionit, një kërkesë që ata nuk e kanë pranuar.

Lejoni që një mjek të vizitojë babanë tim“, shkruante në Twitter vajza e zotit Navalni, Dasha, studente në Universitetin e Stanfordit.

Një sindikatë e mjekëve me lidhje me zotin Navalni tha të shtunën se ai ishte në gjendje kritike dhe se veshkat e tij mund të mos funksiononin, gjë që mund të çojë në atak kardiak.

Në një letër të hapur drejtuar Presidentit Vladimir Putin të premten një grup aktorësh, shkrimtarësh, historianësh, gazetarësh dhe regjisorësh i kërkonin atij të garantojë që zoti Navalni të marrë kujdes mjekësor.

Një grup ligjvënësish rajonalë të opozitës i bënë thirrje gjithashtu Presidentit Putin të shtunën për t’u siguruar që zoti Navalni të trajtohet siç duhet. Në një intervistë për rrjetin televiziv BBC, ambasadori rus në Britani akuzoi zotin Navalni se po kërkon e vëmendje.

Zoti Navalni ka thënë se autoritetet e burgut po e kërcënojnë ta ushqejnë me forcë nëse nuk braktis grevën e urisë.

Autoritetet ruse e dënuan në muajin shkurt zotin Navalni me 2 vjet e gjysmë lidhur me shkeljen e një lirimi me kusht. Ai thotë se akuzat ndaj tij janë të trilluara. Kritiku i Kremlinit u arrestua në janar kur u kthye në Rusi nga Gjermania, ku ndodhej për kurim pas një sulmi me një agjent nervor, për të cilin ai ka fajësuar Presidentin Putin.

Kremlini ka thënë se nuk ka gjetur asnjë provë se zoti Navalni u helmua dhe e ka akuzuar atë se në mbështje nga SHBA ndodhet në një mision për të destabilizuar Rusinë.

Marrë nga Zëri i Amerikës/ tiranapost.al