Lajme nga Bota

Rrëzohet avioni në liqen, të paktën 19 të vdekur në Tanzani

Rrëzohet avioni në liqen, të paktën 19 të vdekur

Një aeroplan pasagjerësh nga Tanzania është rrëzuar në liqenin Viktoria teksa tentoi të ulej në qytetin buzë liqenit Bukoba. Si pasojë humbën jetën të paktën 19 persona. 26 nga 43 personat në bordin e fluturimit Precision Air u shpëtuan dhe u dërguan në spital.

Dy pilotët i mbijetuan përplasjes dhe arritën të flasin me zyrtarët lokalë nga kabina, por ende nuk janë gjetur në ujëra. Dyshohet se janë mbytur më vonë.

Punonjësit e shpëtimit dhe peshkatarët lokalë po përpiqen të nxjerrin ata që janë ende të bllokuar.

Kaos u krijua dhe në aeroport, ku shumë familjarë prisnin të afërmit e tyre.

Në portën e mbërritjeve, njerëzit ishin gjithashtu në panik - shumica prej tyre prisnin të mirëpritnin të afërmit e tyre.'

Tragjedia mendohet të jetë shkaktuar nga moti i keq.

Punonjësit e emergjencës kanë përdorur litarë për të tërhequr avionin ATR-42 më afër bregut dhe një pjesë e trupit të aeroplanit është tashmë mbi ujë. Nuk është e qartë se sa njerëz ka akoma të bllokuar brenda avionit

Aeroporti është mbyllur deri në një njoftim të dytë.

Kryeministri i Tanzanisë Kassim Majaliwa ka shkuar në vendngjarje dhe tha se do të kryhej një hetim i gjerë për të përcaktuar shkaqet e plota të rrëzimit.

'Ne jemi ende duke identifikuar trupat, por ka shumë të ngjarë që pilotët të kenë humbur jetën,' tha ai.

Presidentja Samia Suluhu Hassan ka shprehur ngushëllimet e saj për të prekurit dhe bëri thirrje për qetësi ndërsa operacioni i shpëtimit vazhdon.

Avioni po fluturonte nga Das es Salaam në Bukoba nëpërmjet Mwanza.

Precision Air është linja ajrore më e madhe private e Tanzanisë dhe është pjesërisht në pronësi të Kenya Airways. Ajo u themelua në vitin 1993 dhe operon fluturime të brendshme dhe rajonale.