Lajme nga Bota

Belgjika ashpërson masat: Ç'duhet të bëjnë qytetarët në restorant

Belgjika ashpërson masat: Ç'duhet të bëjnë

Nga data 25 korrik, në Belgjikë do të vendosen masa më të ashpra për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Kryeministrja Sophie Wilmes bëri me dije se qytetarët do të jenë të detyruar të mbajnë maskë brenda dyqaneve, në tregje të hapura dhe çdo zonë tjetër të frekuentuar, sidomos për të rinjtë të moshës 20-30 vjeç.

Kjo për shkak se në Belgjikë po rritet numri i të infektuarve nga dita në ditë. Gjithashtu ata që shkojnë në kafe dhe restorante do duhet të vendosin maskën në momentin që çohen nga tavolinat, si dhe të shënojnë adresën e emailit në rast se duhet të kontaktohen për shkak të përhapjes së virusit.   

Deri më tani në Belgjikë maskat ishin me detyrim vetëm në dyqane dhe në trasportin publik. Një tjetër masë është që personat që kthehen nga pushimet duhet të njoftojnë autoritetet belge 48 orë para mbërritjes së tyre në vend.

Shfaqjet, eventet publike dhe panairet do jenë të ndaluara dhe gjatë muajit gusht.

Krerët e komunave janë udhëzuar të ashpërsojnë masat nëse e shohin të nevojshme, bazuar nga situata epidemiologjike.

Mes fillimit të qershorit dhe korrikut, Belgjika raportoi numrin ditor të infeksioneve të reja me një mesatare prej 100. Nga 13 korriku, numri i rasteve u rrit. Më 20 korrik, u regjistrua një numër rekord prej 370 rastesh të reja.

Në total 64.627 njerëz janë infektuar që nga shpërthimi i virusit, ndërsa 9.808 pacientë humbën jetën.