Lajme nga Bota

Rusët dynden për të ikur nga vendi, pasi Putin njoftoi planin e mobilizimit ushtarak

Rusët dynden për të ikur nga vendi, pasi Putin njoftoi planin e

Biletat e avionëve në Rusi u shitën me shpejtësi pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm ushtarak mëngjesin e sotëm.

Fluturimet drejt vendeve që ende lejojnë rusët të hyjnë pa vizë, duke përfshirë Turqinë, Armeninë, Gjeorgjinë dhe Serbinë janë më të kërkuara.

Të dhënat e Google Trends menjëherë pas njoftimit të Putin treguan një rritje të kërkimeve për faqen e internetit Aviasales, i cili është uebsajti më popullor i Rusisë për blerjen e biletave.

Pas fjalimit të Putinit të mërkurën, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se 300,000 rusë do të thirren si pjesë e mobilizimit, duke shtuar se thirrja do të kufizohej për ata me përvojë ushtarake dhe se studentët dhe ata që kishin shërbyer vetëm si rekrut nuk do të thirreshin.

Kontratat e ushtarëve që tashmë luftojnë në Ukrainë gjithashtu do të zgjaten, thuhet në dekretin e nënshkruar nga Putin të mërkurën.