Lajme nga Bota

Sekuestrohen 27 milionë maska të falsifikuara në Europë

Sekuestrohen 27 milionë maska të falsifikuara në Europë

27 milionë maska mbrojtëse janë konfiskuar në Evropë.

Një operacion 8 mujor i koduar “Aphrodite”, i udhëhequr nga autoritetet italiane dhe irlandeze, me mbështetjen e agjencisë evropiane për zbatimin e ligjit EUROPOL janë vënë nën sekuestro miliona artikuj, ndër to edhe maskat e falsifikuara.

Përmes një njoftimi për mediat EUROPOL ka deklaruar se “nga dhjetori 2019 deri në korrik 2020, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë gjurmuar shitjet në internet të artikujve të falsifikuar” dhe “kanë arritur kulmin me bastisjet në depo, dyqane dhe tregje të Belgjikës, Qipros, Greqisë, Irlandës, Italisë, Portugalisë, Rumanisë dhe Spanjës”.

Gjatë operacionit janë konfiskuar edhe mbi 700,000 euro, ndërsa 123 llogari të mediave sociale dhe 36 ueb-faqe janë mbyllur.

“Pandemia COVID-19 ka bërë që autoritetet të ndryshojnë planin fillestar të operacionit, për t’u përqendruar në çështje që lidhen me pandeminë. Si rezultat, janë konfiskuar edhe pajisje të falsifikuara mjekësore, përfshirë 27 milionë maska për fytyrë”, njoftoi EUROPOL.