Lajme nga Bota

SHBA-ja i jep fund “ndalesës së myslimanëve”

SHBA-ja i jep fund “ndalesës së myslimanëve”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që e shfuqizon kufizimin e hyrjes në SHBA për banorët e disa vendeve me shumicë myslimane.

Masa ishte vendosur nga paraardhësi i tij, Donald Trump.

Ky urdhër ekzekutiv është në mesin e 17 akteve të cilat Biden i nënshkroi menjëherë pas inaugurimit të tij si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara më 20 janar.

Ato zhbëjnë një sërë politikash të ish-presidentit, Donald Trump, duke nisur nga përgjigja ndaj pandemisë, çështja e klimës, migracioni e të tjera.

Shtëpia e Bardhë e quajti politikën e ndalesës për disa vende me shumicë myslimane, si vendim "me rrënjë ksenofobike".

Në bazë të urdhrit të nënshkruar nga Biden, udhëzohet Departamenti i Shtetit, të rifillojë me shqyrtimin e vizave për banorët e këtyre vendeve dhe që sa më shpejt të paraqesë propozime për të rivendosur drejtësinë dhe për të korrigjuar dëmet e shkaktuara nga kjo ndalesë, në veçanti për ata emigrantë që iu ishin refuzuar vizat.

"Ky është një hap i rëndësishëm në ofrimin e lehtësive për individët dhe familjet e dëmtuara nga kjo politikë e administratës Trump. Ajo nuk ishte në përputhje me vlerat amerikane", tha Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë.

Kritikët e kishin quajtur vendimin e Trumpit të vitit 2017, si një "ndalesë ndaj myslimanëve".

Por, ish-presidenti kishte thënë atëbotë se kufizimet janë të nevojshme për ta mbajtur Amerikën të sigurt dhe për të parandaluar sulme terroriste.

Megjithatë, me kohë masa u ndryshua, pjesërisht për shkak të sfidave ligjore, duke përfshirë edhe disa vende që nuk janë me shumicë myslimane.

Vendimi i Trumpit ndaloi udhëtimin në Shtetet e Bashkuara për shtetasit e Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit.

Iraku dhe Sudani u hoqën më vonë nga lista e propozuar dhe u zëvendësuan me Çadin, Korenë e Veriut dhe Venezuelën.

Vitin e kaluar, me disa masa më pak kufizuese u goditën Eritrea, Kirgizia, Mianmari, Nigeria, Sudani dhe Tanzania.

Demokrati Joe Biden u betua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund një prej tranzicioneve më dramatike politike në historinë e këtij vendi.

Menjëherë pas betimit, Biden në fjalimin e tij të parë si president tha se pak nga paraardhësit e tij kanë hyrë në detyrë në një kohë kaq të vështirë dhe u bëri thirrje amerikanëve që të bashkohen, për të kapërcyer pandeminë dhe problemet racore dhe sociale me të cilat përballet SHBA-ja.

"Demokracia ka mbizotëruar", tha Biden, pasi bëri betimin para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

Biden, 78 vjeç, ka mposhtur republikanin, Donald Trump, në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020./REL