Lajme nga Bota

Shërbimet sekrete ruse: Ka pasur plan për grusht shteti dhe ekzekutim të presidentit bjellorus Lukashenko

Shërbimet sekrete ruse: Ka pasur plan për grusht shteti dhe ekzekutim

Shërbimet e Inteligjencës ruse kanë publikuar ditën e sotme një raport sipas të cilit forcat opozitare në Bjellorusi kishin orkestruar një grusht shteti ku parashikohej edhe vrasja e presidentit filo-rus Alexander Lukashenko.

Sipas FSB-së, Yuri Zenkovich një avokat që ka dhe nënshtetësi amerikane dhe Alexander Feduta një akadamik dhe analist i njohur, kanë qenë organizatorët kryesorë të planit që do të merrte jetë në javët në vazhdim në rast se nuk do të ishte zbuluar nga shërbimet e sigurisë ruse.

“Opozita kishte zgjedhur ditën e Fitores mbi Fashizmin, në 9 Maj për të kryer grushtin e tyre ushtarak. Komplotuesit janë arrestuar nga autoritetet bjelloruse dhe partnerët e tyre rusë”- shkruhet mes të tjerash në deklaratën e FSB-së.

Akuza është bërë dhe më e rëndë, teksa Lukashenko ka thënë se plani i opozitarëve ishte që t’i merrnin peng fëmijët. Lukashenko ka akuzuar SHBA-të si sponsorizues të komplotit.

“Një gjë që më çudit është se përse amerikanët sillen kështu. Ju kujtoj se askush nuk mund të japë dritën jeshile për eliminimin e një presidenti veçse zyrtarët dhe drejtuesit më të lartë politikë. Vetëm ata e marrin këtë vendim dhe jo shërbimet speciale”- ka thënë Lukashenko përgjatë një konference për shtyp. Sipas tij, Putin e ngriti çështjen bjelloruse në telefonatën e tij me presidentin amerikan Joe Biden dhe është shprehur “mirënjohës” për këtë fakt.

Washington-i ende nuk ka reaguar për këtë akuzë të rëndë të Moskës dhe të Minskut, ndërkohë që kujtojmë se ende nuk ka njohur zgjedhjet e Gushtit të kaluar që konfirmuan për të shtatën herë Lukashenkon në krye të shtetit bjellorus.

Pas zgjedhjeve të kontestuara pati një valë protestash të mëdha anti-Lukashenko që rezultuan në 40.000 arrestime dhe në shumë të tjerë që u arratisën drejt Lituanisë për të kërkuar azil politik.

Tiranapost.al