Lajme nga Bota

Shkeli ligjet e privatësisë të përdoruesve/ Amazon gjobitet me 746 milion euro nga BE

Shkeli ligjet e privatësisë të përdoruesve/ Amazon gjobitet

Agjencia Europiane për Mbrojtjen e të Dhënave Private të publikut (CNPD) me qendër në Luksemburg ka administruar një gjobë prej 746 milion eurosh për gjigandin amerikan të transportit “Amazon”, pasi u vërtetua se kjo e fundit kishte shkelur ligjin europian me përdorimin e të dhënave private të konsumatorëve.

Vendimi është marrë në datën 16 korrik dhe është publikuar ditën e sotme me motivacionin “Mënyra sesi Amazon përdor të dhënat personale nuk përputhen me Regulacionin e Përgjithshëm për Mbrojtjen e Privatësisë të miratuar nga Bashkimi Europian”, ndonëse nuk jepen detaje se në çfarë mënyre, kompania amerikane ka shkelur legjislacionin europian.

“Ne besojmë se vendimi CNPD është i pa bazuar në ligj dhe synojmë ta mbrojmë veten me rigorozitetin më të lartë përsa i përket kësaj çështjeje”- ka thënë kompania amerikane në përgjigje të vendimit të CNPD që do të sfidohet në Gjykatat ndërkombëtare.

Gjoba është më e larta e dhënë ndonjëherë që pas implementimit të ligjit në vitin 2018. Shkeljet e Amazon u evidentuan pasi një raportimi investigativ të POLITICO në shkurt të këtij viti, që nxirrte në pah sesi keqmenaxhimi i të dhënave private të klientëve të Amazon mund të rezultonte në pasojë katastrofike për miliona blerësit që kryejnë transaksione në kompaninë që është në pronësi të Jeff Bezos.

Tiranapost.al