Lajme nga Bota

Shkencëtarët zbulojnë simptomën e Covid më të zakonshme tek të infektuarit e moshuar

Shkencëtarët zbulojnë simptomën e Covid më të

Deliri është një simptomë shumë e zakonshme tek pacientët e moshuar të infektuar me koronavirus. Këtë kanë zbuluar së fundmi shkencëtarët në Britani të cilët thonë se është më e përhapur se simptoma e kollitjes, temperaturës dhe humbjes së shijes.

Deliri ose delirium është një gjendje që shfaqet papritmas tek njerëzit, ku ata hutohen, shqetësohen, ndryshojnë gjendjen e humorit dhe jo në pak raste përjetojnë halucinacione.

Sipas shkencëtarëve të Universitetit King kjo shkaktohet nga problemet në tru. Një në pesë nga 850 mijë pacientë me koronavirus mbi 65 vjeç në Britani kanë përjetuar këtë simptomë pasi janë infektuar me koronavirus, i cili me gjasë ka prekur trurin e tyre duke u shkaktuar më pas delirin.

Shkencëtarët thonë se koronavirusi është i aftë të prekë trurin dhe që më pas ndikon në gjendjen e shëndetit mendor. Por po ashtu, deliri shkaktohet nga nivelet e larta të qelizave të bardha të gjakut në tru ose nga temperature e lartë, një simptomë e veçantë e Covid-19.

Epidemiologu Rose Penfold thotë se nga studimet e kryera tek pacientët e moshuar rezulton se deliri është simptoma më e zakonshme.

"Mjekët dhe kujdestarët duhet të kujdesen për çdo ndryshim në gjendjen mendore tek njerëzit e moshuar, të tilla si konfuzioni ose sjellje të çuditshme dhe të jenë të vëmendshëm ndaj faktit se kjo mund të jetë një shenjë e hershme e infeksionit të koronavirusit."