Si mund të anëtarësohen Finlanda dhe Suedia në NATO?

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson njoftoi sot se Suedia do të aplikojë për t’u anëtarësua në NATO. Ditën e djeshme Finlanda njoftoi të njëjtën gjë.
Anëtarësimi në NATO do të nënkuptonte një ndryshim monumental në qëndrim për Suedinë, pasi vendi ka qenë ushtarakisht neutral për 200 vjet.
Në disa mënyra, nuk do të ndryshonte shumë. Suedia dhe Finlanda u bënë partnerë zyrtarë të NATO-s në vitin 1994 dhe që atëherë janë bërë kontribues të mëdhenj në aleancë.
Ata kanë marrë pjesë në disa misione që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Por një ndryshim i madh do të ishte zbatimi i "Nenit 5" të NATO-s, i cili e sheh një sulm ndaj një shteti anëtar si një sulm ndaj të gjithëve.
Për herë të parë Suedia dhe Finlanda - të cilat konfirmuan të dielën se do të aplikonin zyrtarisht për anëtarësim - do të kishin garanci sigurie nga shtetet bërthamore.
Si munden Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen NATO-s?
Mund të duhet një vit për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord që një vend i ri të anëtarësohet.
Për t’u bashkuar me NATO-n, vendet kandidate duhet të përmbushin disa kushte si p.sh, t’i trajtojnë pakicat me drejtësi dhe të angazhohen për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore. Ata gjithashtu duhet të ofrojnë mbështetje ushtarake për aleancën.
Anëtarët e NATO-s bien dakord të shpenzojnë 2% të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Finlanda tashmë e përmbush këtë objektiv dhe Suedia thotë se do ta bëjë këtë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Tiranapost.al