Lajme nga Bota

Si po raportohet lufta Rusi-Ukrainë në Kinë?

Si po raportohet lufta Rusi-Ukrainë në Kinë?

Postimet që shprehnin mbështetje për secilin nga dy shtetet që tani janë në luftë, fshihen çdo ditë në Kinë- si ato pro ashtu edhe kundër veprimeve ushtarake ruse.

"Askush nuk guxon të mbështesë Ukrainën tani," shkroi një person në Weibo, programi i Kinës i njëjtë me Twitter. “Tregohet vetëm mbështetje e njëanshme për Rusinë”.

Ky postim u hoq ashtu si shumë të tjera të ngjashme me të, sipas Free Weibo, një platformë që gjurmon censurën kineze në internet.

Platformat e mediave sociale në Kinë marrin udhëzime të vazhdueshme nga qeveria se si të veprojnë me përmbajtje specifike dhe janë nën presion të vazhdueshëm për të vepruar sipas udhëzimeve.

Mediat kineze raportojnë rregullisht mbi situatën në Ukrainë, por nuk i quajnë veprimet e Rusisë “luftë" ose "pushtim".

Doublethink Lab, i cili ka gjurmuar përpjekjet për dezinformim në kohë reale, ka theksuar se mediat kineze "po citojnë rregullisht dezinformata dhe teori konspirative nga burimet ruse".

Informacione të rreme, të tilla si se ukrainasit i vunë zjarrin centralit të tyre bërthamor, përsëriten nga të gjitha mediat kineze. Ka gjithashtu shumë pak raportime mbi rezistencën nga pala ukrainase dhe mungojnë raportimet mbi reagimin perëndimor ndaj pushtimit të Rusisë.