Lajme nga Bota

Si shkenca ndihmoi në lirimin nga burgu të ‘vrasëses seriale më famëkeqe në Australi’

Si shkenca ndihmoi në lirimin nga burgu të ‘vrasëses

Një grua australiane që kaloi 20 vjet burg për vrasjen e katër fëmijëve të saj u fal dhe u lirua të hënën pas një hetimi për pafajësinë e saj.

Kathleen Folbigg, tani 55 vjeç, u quajt "vrasësja seriale më e keqe e Australisë" pasi u dënua në vitin 2003 për vrasjen e 4 fëmijëve të saj.

Sipas prokurorëve, fëmijët e saj, të moshës nga nëntë javë deri në tre vjeç, ishin mbytur për vdekje nga Folbigg, e cila gjithmonë i ka hedhur poshtë këto akuza, duke pretenduar se çdo vdekje e tyre ishte e lidhur me një shkak natyror.

Dikur emri më i demonizuar në Australi, Folbigg është liruar nga akuzat falë një shkencëtareje spanjolle Carola García Vinuesa, e cila, së bashku me kolegët e saj, ka arritur të tregojë se fëmijët mund të kishin vdekur nga shkaqe natyrore.

"Teoria se ajo kishte vrarë fëmijët e saj nuk kishte prova. E vetmja provë ishte rrethanore, sepse ishte ajo që i gjeti të vdekur," tha García Vinuesa.

I pari që vdiq ishte djali i saj Caleb, 19 ditësh. Një natë, Kathleen u zgjua sepse duhej të shkonte në tualet. Ajo kontrolloi fëmijën e saj dhe kuptoi se ai nuk po merrte frymë.

Burri i saj erdhi me vrap dhe ata u përpoqën ta ringjallnin fëmijën, por në momentin që mbërriti ambulanca ai kishte vdekur.

Pas kësaj ajo humbi Patrick kur fëmija ishte vetëm tetë muajsh. Sarah dhjetë muajsh dhe Laura 18 muajshe vdiqën më vonë. Dy nga fëmijët kishin vdekur nga sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës. Trauma ishte e madhe kështu që marrëdhënia e Folbigg me burrin e saj u përkeqësua dhe çifti vendosi të divorcohej.

Vite më vonë, ish-bashkëshorti gjeti ditarin personal të Folbigg. Disa nga rreshtat që ish-gruaja kishte shkruar, tingëlluan si zile alarmi, si kur ajo shkruante se vajza e saj Sara kishte "ikur me pak ndihmë". Ai ishte aq i tronditur sa i dha ditarët në polici.

Si u përfshi një shkencëtar spanjoll në këtë rast?

Në Australi, juria e dënoi Folbigg-un duke e akuzuar atë për mbytje të katër fëmijëve të saj, por ajo gjithmonë deklaronte pafajësinë e saj.

Askush nuk e besoi historinë e saj, derisa García Vinuesa vendosi ta ndihmonte.

Shkencëtarja spanjolle nuk kishte dëgjuar kurrë për rastin e Folbigg, deri në një pasdite kur mori një telefonatë nga një ish-student.

“Dy nga fëmijët e Folbigg-ut kishin qenë shumë të sëmurë para se të vdisnin dhe kjo më bëri vërtet të vë në dyshim çështjen, kështu që kontaktova avokatët e Folbigg-ut për t'u thënë atyre se ia vlente të bëja kërkime gjenetike”, shton ajo.

Ata vendosën të hartojnë një listë të gjeneve që mund të shkaktojnë vdekje të papritur.

Hapi tjetër në hetimin e tyre shkencor ishte të vizitonin Folbigg në burg dhe të renditnin gjenomin e saj.

"Ne zbuluam se kishte një mutacion në një gjen që kodon kalmodulinën dhe ky është një nga shkaqet më të njohura të vdekjes së papritur në foshnjëri," tha García Vinuesa.

Ekipi i García Vinuesa-s gjeti një mutacion gjenik në dy nga vajzat e Folbigg-ut, ndërsa dy fëmijët e tjerë kishin epilepsi të rëndë dhe shqetësime të frymëmarrjes.

Në gjyqin fillestar, juria kurrë nuk kishte akses në ditarët e plotë të Folbigg-ut, vetëm fragmente të nxjerra jashtë kontekstit si pasojë e vdekjes së fëmijëve të saj.

"Ato shënime nuk ishin një rrëfim, ajo vetëm tha se ndihej fajtore. Në këtë hetim të fundit për rastin e Folbigg, nëntë ekspertë - ekspertë mjeko-ligjorë, psikiatër, gjuhëtarë - e analizuan atë dhe ranë dakord se ato ishin shprehje e një nëne të pikëlluar dhe nuk përmbanin një pranim të fajit penal”, thotë García Vinuesa.