Lajme nga Bota

Skandali i Chiara Ferragni-t nxit Italinë t`ua bëjë 8 me 2 blogereve

Skandali i Chiara Ferragni-t nxit Italinë t`ua bëjë 8 me 2

Historia e panetones së Chiara Ferragnit ka nxitur Italinë të rregullojë me ligj veprimtarinë e blogereve.

Udhëzimet e miratuara pas një konsultimi publik me pjesëmarrje të gjerë përbëjnë një hap të parë të rëndësishëm drejt shërbimeve që influencuesit ofrojnë.

Udhëzimet përcaktojnë një sërë rregullash drejtuar ndikuesve që veprojnë në Itali, të cilët arrijnë të paktën një milion ndjekës në platformat e ndryshme ose mediat sociale në të cilat ato operojnë dhe kanë tejkaluar një normë mesatare angazhimi të barabartë ose më të madhe se 2% në të paktën një platformë ose media sociale.

Parashikimet kanë të bëjnë, në veçanti me mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, të të miturve dhe të vlerave të sportit, duke parashikuar një mekanizëm paralajmërimesh dhe urdhrash që synojnë heqjen ose përshtatjen e përmbajtjes (gjobat për ata që nuk respektojnë këtë rregull variojnë nga 30 mijë në 600 mijë euro).

Në rastin e përmbajtjes me vendosje produkti, influencuesve u kërkohet të shfaqin shkrime që nxjerrin në pah natyrën reklamuese të përmbajtjes (për ata që shkelin rregullat, gjobat variojnë nga 10 deri në 250 mijë euro).

Udhëzimet parashikojnë gjithashtu miratimin e një kodi sjelljeje që përcakton masat të cilat ndikuesit duhet të respektojnë.

Tregu i influencuesve në Itali arriti një vlerë prej 280 milionë euro në vitin 2021, me rritje prej 15% vitin e kaluar.

Sektorët kryesorë për këtë treg janë:

moda dhe bukuria, të cilat mbulojnë rreth një të tretën e tregut (31%)

udhëtimi, ushqimi dhe mënyra e jetesës (18%)

shëndeti dhe aktiviteti fizik (15%)

lojëra dhe teknologji (10%).

Në Itali, një anketë që synonte konsumatorët shqyrtoi shkallën e ndikimit të ushtruar nga ndikuesit në prirjen për të blerë. 85% e pjesëmarrësve të anketës deklaruan se marrin parasysh mendimin e këtyre subjekteve kur blejnë një produkt.

Kështu që rregullat janë të domosdoshme.